50 Cent ka ironizuar edhe një herë rivalin e tij të vjetër, Sean “Diddy” Combs, vetëm pak ditë pasi u raportua se reperi u dërgua në izolim pas një sherri të dyshuar në burg.
Gjatë një performance në klubin e natës LIV Beach në Las Vegas, 50 Cent iu drejtua publikut me humor, duke thënë: “Mund të ishit kudo, por zgjodhët të ishit këtu. Faleminderit”.
Më pas ai shtoi: “Mund të ishit… në Fort Dix me Puffy-n në burg”, duke iu referuar institucionit federal në New Jersey, ku Diddy po vuan dënimin, shkruan DailyMail.
Komenti i tij vjen pasi TMZ raportoi se Diddy u përfshi në një përplasje fizike me një të burgosur tjetër.
Sipas raportimeve, sherri nisi pasi një i burgosur e ofendoi reperin, ndërsa situata u përshkallëzua nga shtyrjet në grushte, përpara se stafi i burgut të ndërhynte. Më pas, Diddy thuhet se u dërgua në izolim.
Megjithatë, autoritetet e burgut FCI Fort Dix nuk kanë konfirmuar dhe as mohuar incidentin, duke deklaruar se nuk japin informacione për çështjet që lidhen me të burgosurit.
Rivaliteti mes 50 Cent dhe Diddy-t vazhdon prej më shumë se dy dekadash. Përplasja e tyre publike daton që nga viti 2006, kur 50 Cent publikoi këngën “The Bomb”, ndërsa pas procesit gjyqësor të Diddy-t ai realizoi edhe dokumentarin me katër pjesë “Sean Combs: The Reckoning”, duke vazhduar kritikat dhe ironitë ndaj reperit.


