Prishtinë, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Në gjashtë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka kundërshtuar aktgjykimin ndaj tyre nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar atë si padrejtësi dhe me pasoja afatgjata për Kosovën.
Në fjalimin e tij në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputeti Krasniqi tha se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së lidhet, sipas tij, me funksionet politike që kishin mbajtur dhe jo me përgjegjësi individuale të dëshmuara. Sipas tij, dënimi i tyre do të ketë pasoja të mëdha.
“Më 16 shtator 2026, nuk u dënuan Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi për veprimet e tyre apo për përgjegjësitë e tyre individuale. U dënuan për shkak të posteve politike që ata kishin bartur…Kjo ka vetëm një arsye, duan t’i përlyejnë dhe baltosin objektivat e UÇK-së, objektivat e kësaj drejtorie politike, të cilat ishin të njëjta ndër breza, liria dhe pavarësia e Kosovës, liri kjo e pavarësi që u arritën me shumë mund e gjak. Pasojat e 16 shtatorit ndoshta nuk i ndjeni tani, por pasojat afatgjate ndihen pas një kohe më të gjatë, pikërisht për faktin se janë pasoja të mëdha”, tha Krasniqi.
Ai paralajmëroi se vendet kundërshtare të pavarësisë së Kosovës mund ta përdorin aktgjykimin në fushatat e tyre diplomatike, duke e paraqitur si dënim të luftës së UÇK-së dhe jo vetëm të individëve.
Në përfundim, deputeti i PDK-së kërkoi që institucionet ta mbrojnë të vërtetën e luftës çlirimtare dhe që partitë t’i lënë mënjanë dallimet politike kur bëhet fjalë për UÇK-në dhe vlerat e saj.
“Imagjinoni ofensivën diplomatike që do të zhvillohet nga vendet kundërshtare të pavarësisë sonë, të cilat nuk janë të pakta. E këto vende nuk do të flasin për dënime individuale, por do të flasin për dënimin dhe kriminalizimin e një lufte çlirimtare, siç ishte ajo e UÇK-së. Pavarësisht, se më 16 shtator tha se UÇK-ja nuk ishte në gjyq, ajo çka ai lexoi vetëm se e demantoi ai deklarim. Ata sot janë pengje të një ‘drejtësie ndërkombëtare’, e cila, me plot meritë, vetëm padrejtësi është. Institucionet e Kosovës e kanë për obligim ta mbrojnë të vërtetën e luftës së UÇK-së, prandaj, ju ftoj të gjithëve që, kur është në pyetje UÇK-ja dhe vlerat e saj, t’i lëmë anash dallimet politike”, tha Krasniqi.
Gjykata Speciale në Hagë më 16 shtatori ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi (25 vjet), Jakup Krasniqi (25 vjet), Kadri Veseli (18 vjet) dhe Rexhep Selimi (13 vjet). /KP/
