Shkup, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Eksporti i mallrave nga vendi në periudhën janar – shtator 2026 arriti 6,62 miliardë euro dhe shënon rritje prej 10,8 për qind në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar. Njëkohësisht, importi është 9,18 miliardë euro, që paraqet rritje prej 7,9 për qind, tregojnë të dhënat e Entit shtetëror për statistika.
Në këtë periudhë është realizuar deficit tregtar prej rreth 2,56 miliardë eurove.
Vlera e përgjithshme e eksportit të mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut, për periudhën janar-shtator të vitit 2026, është 408 167.8 milionë denarë dhe shënon rritje prej 10.83% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Vlera e mallrave të importuara, për periudhën janar–shtator të vitit 2026, është 566 113.5 milionë denarë, që paraqet rritje prej 7.94% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Këmbimi tregtar sipas produkteve, bazuar në Klasifikimin Standard të Tregtisë Ndërkombëtare, tregon se pjesën më të madhe të eksporteve e përbëjnë: katalizatorët e mbajtësve me metale të çmuara ose përbërjet e tyre; grupet e telave të ndezjes dhe produkte të ngjashme për automjete, aeroplanë ose anije; pjesët e sediljeve nga nëngrupi 821.1; si dhe katalizatorë të tjerë të mbajtësve.
Në import, më shumë përfaqësohen: platini dhe lidhjet e platinës, të papërpunuara ose në formë pluhuri; metalet e tjera të grupit të platinës dhe lidhjet e tyre, të papërpunuara ose në formë pluhuri; vajrat e naftës dhe vajrat e përfituara nga mineralet bituminoze, me përjashtim të vajrave të papërpunuara; si dhe automjete të tjera motorike për transportin e udhëtarëve.
Në periudhën janar–shtator të vitit 2026, sipas vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme, pjesa më e madhe e tregtisë është realizuar me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Kinën, Greqinë dhe Serbinë, të cilat përbëjnë 49.7% të vëllimit të përgjithshëm të këmbimit.
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian marrin pjesë me 58.8% në vëllimin e përgjithshëm të këmbimit.
