7.8 milionë denarë dëmshpërblim për Ziadin Selën për ngjarjet e 27 prillit

Nga Xh M
1,824 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 korrik Zhurnal.mk – Gjykata e Apelit në Shkup ka marrë vendim të formës së prerë me të cilin pjesërisht e ka pranuar ankesën e Ziadin Selës dhe ka rritur shumën e dëmshpërblimit që Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’ia paguajë për dëmin jomaterial të pësuar gjatë sulmit në Kuvend më 27 prill 2017.

Me aktgjykimin e Apelit, shteti obligohet t’i paguajë Selës gjithsej 7.800.000 denarë për cenimin e të drejtave personale lidhur me shëndetin e tij fizik dhe psikik.

Sipas arsyetimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk e ka vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme seriozitetin e dëmit të shkaktuar, si dhe nuk ka marrë parasysh të gjitha rrethanat relevante që ndikojnë në përcaktimin e një kompensimi të drejtë.

“Shumat e përcaktuara në aktgjykimin e shkallës së parë nuk e përmbushin qëllimin e kompensimit, nuk mundësojnë dëmshpërblim real dhe nuk e pasqyrojnë seriozitetin e lëndimeve që ka pësuar paditësi si pasojë e ngjarjes kritike”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Sipas aktgjykimit, kompensimi ndahet si vijon:

1.500.000 denarë për dhimbjet fizike;
900.000 denarë për frikën e përjetuar;
3.000.000 denarë për dhimbjet shpirtërore si pasojë e zvogëlimit të aktivitetit të përgjithshëm jetësor;
600.000 denarë për dhimbjet shpirtërore për shkak të shëmtimit;
600.000 denarë për cenimin e dinjitetit personal;
600.000 denarë për cenimin e nderit;
600.000 denarë për cenimin e reputacionit.

Gjykata e Apelit njëkohësisht e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Avokaturës së Shtetit, e cila kishte kërkuar shfuqizimin e aktgjykimit dhe rigjykimin e lëndës.

Në padinë e tij civile, Ziadin Sela kishte kërkuar gjithsej 61 milionë denarë si kompensim për dëmin e pësuar gjatë ngjarjeve të dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut më 27 prill 2017.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër