“8 pikat e PD-së për Reformën Zgjedhore”, Bylykbashi: Nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme pa u ndarë shteti nga partia

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Një ditë pasi Partia Demokratike prezantoi propozimet e saj për Reformën Zgjedhore, nënkryetari i kësaj force politike, Oerd Bylykbashi, ka publikuar një status në rrjete sociale ku thekson se zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk garantohen vetëm ditën e votimit, por kërkojnë edhe shmangien e përdorimit të administratës publike, buxhetit dhe burimeve shtetërore për qëllime elektorale.

“Nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme pa u ndarë shteti nga partia dhe krimi!”, shkruan Bylykbashi.

Ai rendit tetë fushat ku, sipas propozimeve të PD-së, duhet të garantohet ndarja e shtetit nga partia:

1. Administrata publike – Pa presion politik dhe mobilizim partiak të punonjësve.

2. Vendimet qeveritare, fiskale dhe sociale – Pa përdorim elektoral të përfitimeve publike.

3. Buxheti, prokurimet dhe investimet – Fondet dhe pasuria shtetërore në shërbim të qytetarëve, jo të partive.

4. Patronazhimi – Pa kushtëzim politik të punësimit dhe shërbimeve publike.

5. Kontrollet dhe inspektimet – Pa përdorim selektiv të pushtetit shtetëror për presion politik.

6. Të dhënat personale – Regjistrat shtetërorë nuk janë databaza elektorale.

7. Aktivitetet zyrtare – Funksioni publik nuk mund të shndërrohet në fushatë partiake.

8. Media dhe propaganda institucionale – Informimi publik duhet të ndahet nga promovimi elektoral i pushtetit.

Bylykbashi propozon gjithashtu që reforma të parashikojë ndalime të përhershme të abuzimit me burimet shtetërore, si dhe mbrojtje të përforcuar në periudhën përpara zgjedhjeve.

Një tjetër pikë lidhet me fuqizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilit opozita kërkon t’i jepen kompetenca për të kontrolluar dhe ndërhyrë drejtpërdrejt, në kohë reale, përballë shkeljeve.

Në propozimet e PD-së përfshihet edhe mekanizmi “Ndalo – Rivendos – Sanksiono”, me synimin që shkeljet të mos ndëshkohen vetëm përmes gjobave pas zgjedhjeve, por të ndërpriten dhe të korrigjohet avantazhi i paligjshëm i krijuar.

Gjithashtu, Bylykbashi kërkon që në rastet kur provohet se një mandat është fituar për shkak të abuzimit të rëndë me burimet shtetërore, të parashikohet edhe humbja e tij nga subjekti zgjedhor, me garanci dhe kontroll gjyqësor.

“Nuk mjafton të ndëshkohet shkelësi, nëse partia ruan mandatin e fituar nga shkelja. Nuk mjafton të numërohen saktë votat, nëse liria e tyre është cenuar përpara votimit”, thekson ai.

Në përfundim, nënkryetari i PD-së përsërit kërkesën e opozitës për ndarjen e shtetit nga krimi i organizuar dhe për ndryshimin e sistemit të përfaqësimit. Konkretisht, PD kërkon zgjedhjen e Parlamentit me sistem proporcional kombëtar me listë të hapur, si dhe zgjedhjen e këshillave bashkiakë me lista të hapura.

Bylykbashi kërkon që Kuvendi t’i kthejë këto propozime në rregulla konkrete, kontrolle të detyrueshme dhe pasoja reale përpara zgjedhjeve të 9 majit 2027.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër