Tafa: Dy projekte bashkëpunimi me Arabinë Saudite në sigurinë kibernetike

nga D. V.

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa mori pjesë në Forumin Global të Sigurisë Kibernetike, që po zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite me ftesë zyrtare nga organizatorët e këtij takimi të përvitshëm.

Ky forum i rëndësishëm, këtë vit u mbajt nën temën “Zhvillimi i bashkërenduar në hapësirën kibernetike”.

Gjatë vizitës, Tafa mori pjesë në dy panele ndërkombëtare të nivelit të lartë, zhvilloi takime dypalëshe me homologët nga Arabia Saudite dhe Omani, ku diskutoi nxitjen e bashkëpunimit me vendet e tjera të Gjirit, si dhe dakordësoi nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare me United States Telecommunications Training Institute (USTTI), duke forcuar më tej rolin e Shqipërisë në ekosistemin global të sigurisë kibernetike.

Në një panel mbi ligjin kibernetik dhe rregullimin e revolucionit teknologjik, Tafa ndau përvojën e Shqipërisë në forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional për sigurinë kibernetike, përmes përafrimit me Direktivën NIS2, miratimit të ligjit të ri për sigurinë kibernetike dhe zbatimit të 21 akteve nënligjore, nga të cilat 16 janë tashmë finalizuar.

Ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të një kuadri të qëndrueshëm digjital, të mbështetur në bashkëpunim institucional, zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe përfshirjen e sektorit privat, për të garantuar qëndrueshmëri dhe mbrojtje afatgjatë ndaj rreziqeve në rritje.

Në diskutim, Shqipëria u vlerësua si një histori suksesi, duke u renditur ndër 20 vendet e para në botë për sigurinë kibernetike, sipas Indeksit Global të Sigurisë Kibernetike, një arritje që pasqyron reformat ligjore dhe institucionale të ndërmarra në vitet e fundit.

Në panelin kushtuar fuqizimit të grave në sigurinë kibernetike, drejtori i AKSK-së nënvizoi nevojën për veprim të menjëhershëm dhe të matshëm, përmes ndërtimit të rrugëve të qarta nga arsimi te lidershipi, përfshirjes së indikatorëve gjinorë në strategjitë kombëtare, si dhe krijimit të mjediseve pune fleksibël dhe të sigurta.

Tafa nënvizoi se barazia gjinore duhet të trajtohet si shtyllë thelbësore e sigurisë kibernetike globale, duke theksuar se vetëm përmes veprimit të koordinuar dhe përgjegjës mund të arrihet qëndrueshmëri dhe gjithëpërfshirje reale në këtë sektor strategjik.

Në kuadër të forumit, Tafa zhvilloi takime zyrtare dypalëshe me homologët e tij nga Mbretëria e Arabisë Saudite dhe Shteti i Omanit, ku u diskutuan nisma konkrete bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta për forcimin e kapaciteteve kombëtare në fushën e sigurisë kibernetike.

Në takimin me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Mbretërisë së Arabisë Saudite (NCSA), Tafa prezantoi dy projekte konkrete bashkëpunimi si ngritjen e Qendrës Kombëtare të Ekselencës për Sigurinë Kibernetike, me asistencën e NCSA-së dhe krijimin e Qendrës së Monitorimit, Reagimit dhe Menaxhimit të Incidenteve Kibernetike për sektorin e Shëndetësisë në Shqipëri.

Në takimin me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Shtetit të Omanit, u prezantua projekti për ngritjen e një platforme të përbashkët trajnimi, për rritjen e kapaciteteve profesionale në sektorët publik dhe privat. Palët ranë dakord të vijojnë me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi, që do të formalizojë këtë partneritet.

Sipas njoftimit të AKSK-së, Tafa zhvilloi takime edhe me përfaqësues të Katarit, Kuvajtit dhe Bahreinit, me fokus në zhvillimin e kapaciteteve për përballjen e rreziqeve që burojnë nga Inteligjenca Artificiale dhe Kompjuterët Kuantikë, dhe ndërtimin e një shtrese mbrojtëse kundër rreziqeve kuantike (Quantum Resistance Layer) për infrastrukturat kritike kombëtare.

AKSK nënvizon se këto takime hapën rrugën për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal dhe krijimin e partneriteteve të reja teknologjike dhe institucionale në mbështetje të qëndrueshmërisë digjitale.

Në vijim të takimit ndërmjet drejtorit të përgjithshëm të AKSK-së dhe drejtorit ekzekutiv të USTTI, u dakordësua nënshkrimi i një Marrëveshjeje Mirëkuptimi (MoU) për forcimin e kapaciteteve njerëzore në fushën e sigurisë kibernetike, përmes zhvillimit të programeve të trajnimit, shkëmbimit të praktikave më të mira dhe ndarjes së përvojave profesionale.

Në njoftimin e AKSK-së thuhet se përmes këtyre angazhimeve, Shqipëria riafirmoi rolin e saj si partner i besueshëm dhe kontribuues në agjendën ndërkombëtare të sigurisë kibernetike, duke avancuar bashkëpunimin rajonal dhe ndërinstitucional për forcimin e qëndrueshmërisë digjitale.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More