Kadastra tërësisht digjitale në fund të 2026-ës

nga D. V.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës pritet që në fund të vitit të ardhshëm të shndërrohet në një institucion tërësisht digjital.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale thekson se “Shqipëria po shënon një rekord të ri të revolucionit digjital me tashmë 10 shërbime kadastrale të automatizuara përmes teknologjisë blockchain, ndërkohë që tashmë përmes e-Albania mund të kryhen edhe pagesa online direkt nga karta bankare”.

Drejtoresha e përgjithshme Lorena Goxhobelli, në një tryezë partneriteti të organizuar për të diskutuar arritjet, risitë dhe sfidat e ASHK-së në këtë fazë transformimi, tha se puna për digjitalizimin po ecën me ritme shumë të mira dhe se ky proces jo vetëm lehtëson punën e përditshme të kësaj agjencie, por mbi të gjitha rrit ndjeshëm cilësinë dhe sigurinë e informacionit kadastral për çdo qytetar.

“Jemi më pranë se kurrë digjitalizimit të hartave kadastrale. Së bashku me UNOPS, kemi nisur punën dhe një proces që kërkon kohë, për digjitalizimin e plot të 33 mijë planshetash. Fundi i 2026 do të na gjejë me një Kadastër tërësisht digjitale”, tha Goxhobelli.

Kadastra e ka çuar së fundi në 10 numrin e shërbimeve automatike përmes teknologjisë blockchain, si dhe ka finalizuar kryerjen e pagesës direkt nëpërmjet portalit e-Albania me kartë bankare, pa qenë nevoja të paraqiteni në postë apo në sportelet e bankave.

“Digjitalizimi i të dhënave dhe përdorimi i teknologjisë blockchain na ka dhënë mundësinë që të automatizojmë një pjesë të shërbimeve tona. Në fillim të 2025, kishim 5 shërbime automatike dhe sot që flasim kemi 10 shërbime të tilla që iu ofrohen qytetarëve. Aktualisht 10 deri në 15% e shërbimeve tona ditore gjenerohen automatikisht nga sistemi”, u shpreh drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli.

Ajo theksoi po ashtu se është finalizuar edhe mundësia e kryerjes së pagesës nëpërmjet e-Albania me kartë bankare.

“Një funksionalitet për të cilin kemi punuar intensivisht me AKSHI-n këto muajit e fundit dhe më vjen mirë që më në fund e finalizuam sepse tashmë qytetarëve nuk do t’ju duhet më që të qëndrojnë më në sportelet e bankave dhe të postës në këtë rast dhe jo më të ASHK-së dhe mund ta bëjnë pagesën aty ku bëjnë aplikimin vetëm me një klik”, u shpreh Goxhobelli.

E megjithatë tha ajo, transformimi digjital nuk do të thotë distancim nga qytetari. “Përkundrazi, synon thjeshtim, aksesueshmëri dhe kohë më të shkurtër trajtimi për aplikimet. Shfrytëzimi i avantazheve që krijon Inteligjenca Artificiale mbetet një tjetër objektiv ambicioz i ASHK-së përgjatë vitit 2026”, theksoi Goxhobelli në vijim të fjalës së saj.

Sipas saj, me përfundimin e digjitalizimin të të dhënave kadastrale krijohen të gjitha parakushtet për shfrytëzimin e përfitimeve që sjell përdorimi i Inteligjencës Artificiale.

Ndërsa fokusi strategjik i këtij viti ka qenë digjitalizimi dhe regjistrimi fillestar, dy procese themelore që jo vetëm po përmirësojnë shërbimin ndaj qytetarëve, por po vendosin edhe bazat e forta për garantimin e sigurisë dhe qartësisë së të drejtave pronësore, një tregues tjetër domethënës për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës është ulja e kohës së trajtimit të aplikimeve të qytetarëve.

Aktualisht, 79% e aplikimeve trajtohen brenda afateve ligjore.

Ta pranishëm në Tryezën e Partneritetit të ASHK-së ishin ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, shefja e Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE, Ritva Heikkinen, kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, Giulia Re dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shqiptare dhe grupeve të interesit të lidhura me çështjet e pronësisë, shërbimit noterial, tregut imobilar etj.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More