Salla e sportit që ekziston, por nuk figuron! 15 vite e ndërtuar dhe pa dokumente

Nga B.M
767 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kërçovë, 4 janar – Kanë kaluar 15 vite që kur është ndërtuar dhe ende po flitet për sallën e sportit në oborrin e shkollës fillore “Rexhë Rushit Zajazi”. Salla është e ndërtuar në vitin 2009/2010, është e rregulluar por e mbyllur për gati 2 dekada dhe askush nuk i del zot këtij ndërtimi.

“Vitet kalojnë, qeveritë ndryshojnë por salla në Zajaz mbetet një enigmë, nuk është e hapur qëndron e mbyllur dhe është një labirint në vete. TV21 ka realizuar mbi 10 kronika në 5 vitet e fundit, mbi 100 telefonata me zyrtarë dhe ish-zyrtarë për të parë se si është situata, por gjithmonë topi hidhet sa andej e sa këndej dhe pa rezultate. Në këto vite ne kemi mësuar se salla nuk posedon dokumente, sidomos për fazën e dytë të ndërtimit dhe nuk është bërë as pranim dorëzimi nga ndonjë mbikëqyrës dhe më e keqja salla nuk figuron as në kadastër se ekziston si objekt në shkollën fillore “Rexhë Rushit Zajazi”, raporton gazetarja e TV21 Salije Sadiku Pinjolli.

Përbërja e re e Këshillit e ngriti serish këtë çështje në mbledhjen e miratimit të buxhetit.

Edhe pse informacionet e TV21 në biseda me ish zyrtarë të ish-Komunës së Zajazit thonë se dokumentet janë në Komunë, por nga Komuna e Kërçovës e mohojnë kategorikisht pasjen e ndonjë dokumenti për këtë sallë. Ata thonë se salla nuk ekziston as në kadastër dhe nuk posedojnë asnjë dokument.

TV21 ka mësuar se pjesën e parë e ka ndërtuar nga Kompania Kartel e Gostivarit, ndërsa pjesa e dytë nga një kompani e Kërçovës. Prej 15 vitesh që kur është ndërtuar askush nuk ka shkelur aty dhe është e pa përdorshme.

“Ne do t’i qëndrojmë pas deri sa të zbardhet rasti me këtë sallë, kush e ndërtoi? Si e ndërtoi? Pse e ndërtoi dhe pse po qëndron e mbyllur për kaq vite!”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër