Shqipëria po shënon progres të rëndësishëm në sektorin energjetik, falë rritjes së qëndrueshme të burimeve të rinovueshme dhe zbatimit të një strategjie afatgjatë për diversifikimin e prodhimit të energjisë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Energjisë së Pastër, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se investimet e realizuara ndër vite kanë forcuar ndjeshëm sigurinë energjetike të vendit, duke e orientuar Shqipërinë drejt një modeli të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin.
Sipas saj, strategjia kombëtare e energjisë parashikon që deri në vitin 2030 rreth 45% e konsumit vendas të energjisë elektrike të mbulohet nga teknologjitë fotovoltaike dhe eolike, duke reduktuar varësinë nga burimet tradicionale dhe kushtet hidrike.
Balluku theksoi se ky progres është vlerësuar edhe ndërkombëtarisht, pasi World Economic Forum e ka renditur Shqipërinë në vitin 2025 si një nga vendet me qëndrueshmëri të lartë energjetike, falë kapaciteteve prodhuese 100% nga burime të rinovueshme.
Gjatë këtyre viteve, në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime private, kryesisht në burime të rinovueshme. Aktualisht, vendi ka mbi 700 MW kapacitete të reja private fotovoltaike të instaluara dhe në operim, si dhe rreth 400 MW kapacitete të shtuara nga vetëprodhuesit e energjisë, të shpërndara në të gjithë territorin.
Ministrja bëri të ditur se Shqipëria disponon një portofol projektesh që pritet të çojë kapacitetet e reja prodhuese të rinovueshme përtej 1 500 MW me teknologji fotovoltaike dhe eolike në vitet e ardhshme. Paralelisht, mbi 1 600 MW kapacitete depozituese të energjisë, përmes teknologjive “pump storage” dhe baterive, ndodhen në fazë studimi dhe vlerësimi financiar, duke synuar rritjen e fleksibilitetit të sistemit energjetik.
Në sektorin e energjisë diellore, Shqipëria ka kaluar nga projekte pilot në impiante të shkallës së madhe. Parku fotovoltaik i Karavastasë, një nga më të mëdhenjtë në rajon, me 140 MW kapacitet të instaluar, përfaqëson një nga projektet kryesore që e pozicionon vendin si model për zhvillimin e energjisë së rinovueshme në rajon.
Ndërkohë, në energjinë e erës, për herë të parë në historinë energjetike të vendit, Shqipëria po hyn në fazën e realizimit të projekteve konkrete, përmes projektit të kompanisë amerikane CWP, me një kapacitet të pritshëm instalimi prej 600 MW.
Të dhënat e sistemit energjetik tregojnë ecuri pozitive në të gjitha segmentet, ku kapacitetet gjeneruese janë rritur me rreth 1 500 MW krahasuar me vitin 2013. Vetëm gjatë vitit 2025, janë vënë në operim rreth 700 MW kapacitete të reja fotovoltaike, si dhe janë shtuar 400 MW kapacitete të reja vetëprodhimi.
Sipas projeksioneve afatgjata, deri në vitin 2030 kapacitetet fotovoltaike pritet të jenë rreth 1 500 MW më të larta krahasuar me vitin 2020, ndërsa kapacitetet e energjisë eolike do të rriten me rreth 700 MW.
Prodhimi nga energjia fotovoltaike në vitin 2030 parashikohet të arrijë rreth 2 milionë MWh, ose 25% të konsumit aktual vendas, ndërsa prodhimi nga energjia e erës vlerësohet në rreth 1,4 milionë MWh, që përfaqëson 17,5% të konsumit aktual.
Në total, deri në vitin 2030, rreth 45% e konsumit vendas të energjisë elektrike pritet të mbulohet nga teknologjitë fotovoltaike dhe eolike, duke konsoliduar tranzicionin e Shqipërisë drejt një sistemi energjetik të qëndrueshëm dhe të sigurt.

