Kosovë-Shqipëri, forcohet bashkëpunimi doganor për lehtësimin e tregtisë dhe zhvillimin ekonomik

Nga B.M
511 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, zhvilloi një takim zyrtar me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës Shqiptare, Besmir Beja, me synim thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e agjendës së përbashkët në fushën doganore.

Gjatë takimit u vlerësua progresi i arritur ndër vite dhe niveli i lartë i koordinimit institucional, i cili ka ndikuar në përmirësimin e procedurave, rritjen e efikasitetit operacional dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se vëmendje e veçantë iu kushtua funksionimit të Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, si dhe zbatimit të sistemit One Stop Shop në pikën kufitare Morinë, mekanizma të cilët u vlerësuan si modele të suksesshme bashkëpunimi, duke reduktuar kohën e pritjes, ulur kostot për bizneset dhe lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe pasagjerëve.

Drejtori Llugaliu theksoi rëndësinë strategjike të pranisë së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit, duke e konsideruar këtë një instrument kyç për fuqizimin e pozitës konkurruese të operatorëve ekonomikë të Kosovës dhe për rritjen e qasjes në tregjet rajonale dhe më gjerë.

Në kuadër të diskutimeve u trajtuan edhe prioritetet e përbashkëta për digjitalizimin, avancimin e shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe forcimin e bashkëpunimit në hetime të përbashkëta, me qëllim rritjen e transparencës, sigurisë dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme.

Në përmbyllje, palët theksuan vullnetin për konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit institucional dhe ndërmarrjen e hapave të rinj që mbështesin lehtësimin e tregtisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës dhe Shqipërisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër