Ushtria gjermane ka dërguar avionë për të marrë pjesë në misionin “Arctic Sentry” të NATO-s, tha sot ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius në Konferencën e Sigurisë, në Mynih.
“Avionë luftarakë “Eurofighter” nga Bundeswehr u nisën drejt Islandës, së bashku me një “Airbus A400M (avion transporti ushtarak me katër motorë turbohelikë)”, tha Pistorius.
Përveç kësaj, Gjermania do të ketë një oficer ndërlidhës të Bundeswehr-it në Komandën e Përbashkët Nordike në Nuuk, Groenlandë, nga 1 marsi.
Ministria e Mbrojtjes tha se katër avionë “Eurofighter” u ngritën nga krahu i forcave ajrore në Neuburg an der Donau rreth mesditës.
Një avion transporti A400M nga Wunstorf në Saksoninë e Poshtme është nisur për të siguruar furnizimin me karburant ajër-ajër.
Misioni synon të qetësojë më tej konfliktin brenda NATO-s mbi Groenlandën e administruar nga Danimarka, i cili u nxit nga kërkesat e presidentit të SHBA-së Donald Trump për të marrë kontrollin e territorit Arktik.
“Gjermania ka “shumë për t’i ofruar krahut veriperëndimor të NATO-s”, tha Pistorius në Mynih.
Ai përmendi avionët patrullues detarë “P-8 Poseidon”, nëndetëset, fregatat, avionët “Eurofighter” dhe pajisjet e furnizimit me karburant ajër-ajër.
“Qëllimi është të tregohet prania, të monitorohet dhe të vlerësohen masat që duhen marrë për të mbrojtur Arktikun”, tha Pistorius.
“Flota Veriore Ruse është shumë aktive në Arktik – me nëndetëse me energji bërthamore dhe flotën e saj. Po flasim për një fuqi ushtarake detare shumë të fortë atje”, shtoi ai.
Komandanti Suprem i NATO-s Alexus G Grynkewich njoftoi fillimin e misionit, i cili, sipas tij, synon të sigurojë një nga rajonet më të rëndësishme dhe sfiduese, strategjikisht.

