Shkup, 15 shkurt – LSDM-ja adresoi akuza ndaj pushtetit për tenderë dhe prokurime publike të dyshimta të lidhura me një kompani. Ata thonë se nuk ka para për rritje pagash, subvencionet për bujqit po shkurtohen, ndërsa firma e afërt me pushtetin, “Lendi Group” në Shkup, për dy vite ka fituar 74 tenderë me vlerë totale prej 17,6 milionë euro.
„Rritja e menjëhershme e kontratave të lidhura fillon në vitin 2024, vazhdon në 2025 e deri sot.
Vetëm vitin e kaluar, 59 kontrata të lidhura, pjesa më e madhe nga komuna të udhëhequra nga VMRO – GOK. Simptomatike, vlera e këtyre kontratave pothuajse përputhet tërësisht me vlerën e parashikuar të tenderëve,“ deklaroi Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM-ja i numëron tenderët vetëm në dy vitet e fundit dhe se llogaritja duhet të bëhet edhe për vitet kur ata kanë qenë në pushtet.
„E njëjta firmë, ndoshta edhe dyfish më shumë tenderë ka fituar në kohën kur institucionet i menaxhonin LSDM-ja bashkë me BDI-në. Prandaj kjo është një akuzë populiste. Sa i përket parave për pagën minimale, do të ishte mirë të përgjigjen pse gjatë 7 viteve që ishin në pushtet nuk e rritën pagën minimale në përmasa siç e kërkojnë tani. Po ashtu, le të përgjigjen nga ku gjetën para me një rrogë funksionari për të hyrë në biznesin e ndërtimit në Dubai,“ tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
LSDM-ja akuzoi se institucionet pothuajse dy muaj heshtin lidhur me pretendimet e deritanishme të ekipit antikorrupsion të socialdemokratëve për tenderë të dyshimtë të realizuar nga pushteti.

