Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile ka vendosur sot rajonin e Peloponezit, rajonin e Greqisë perëndimore, rajonin e ishujve Jonianë dhe rajonin e Epirit në kod të kuq për shkak të rrezikut nga vërshimet si dhe nga përmbytjet në zonat bregdetare si pasojë e erërave të forta.
Siç njoftoi Ministria e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile, pas Buletinit të Përkeqësimit të Motit, të lëshuar nga Shërbimi Kombëtar Meteorologjik (EMY), i vendosi rajonet e mësipërme në gjendje mobilizimi.
Në këtë kuadër, bashkitë dhe rajonet duhet të mbledhin menjëherë Organet Vendore Operacionale të Koordinimit të Mbrojtjes Civile dhe Organet Rajonale Operacionale të Koordinimit të Mbrojtjes Civile.
Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile u drejton qytetarëve rekomandime shtesë duke i bërë thirrje të tregojnë kujdes të veçantë dhe të marrin masa vetëmbrojtëse për t’u mbrojtur nga rreziqet që rrjedhin nga fenomenet e motit të keq.
Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile i Ministrisë së Krizës Klimatike dhe Mbrojtjes Civile ka njoftuar gjithashtu shërbimet shtetërore kompetente si dhe rajonet dhe bashkitë e vendit që të jenë në gatishmëri të shtuar për mbrojtjen civile, me qëllim përballimin e menjëhershëm të pasojave nga fenomenet e motit të rënduar.
