Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, se ftesa për Bordin e Paqes ka lidhje me Shqipërinë, jo me kryeministrin Edi Rama.
Sipas Berishës, Rama po e përdor Bordin e Paqes për propagandë. “Sot niset dhe ai do përpiqet ta përdorë për propagandë. Shqipëria është anëtare e Bordit të Paqes, e cila është themeluar nga presidenti Trump dhe natyrisht, do ketë një përfaqësues. Po shkoi ky, dhe kështu siç shkon, do kthehet. Shkon hajdut kudo që shkon, kthehet hajdut kudo që të kthehet. Ndaj dhe ju siguroj se ftesa ka lidhje me Shqipërinë dhe nuk ka asnjë lidhje në mënyrë absolute me personin e shpërfytyruar që është Edi Rama sot”, tha Berisha.
Sipas kreut të PD, Rama ka humbur çdo moral. “Sot qytetarët duhet të marrin në dorë fatin e vet, fatin e Shqipërisë. Unë i them Edi Ramës, jep dorëheqjen se absolutisht nuk ka forcë në botë që t’i pengojë shqiptarët pa të larguar ty, se po sillesh në mënyrën më të pakonceptueshme”, përfundoi Berisha.
