Gjykata Supreme e Brazilit rrëzon kërkesën e Ervin Matës për të mos u ekstraduar në Shqipëri

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Brasilia, 20 nëntor Zhurnal.mk – Gjykata Supreme e Brazilit ka rrëzuar kërkesat e fundit të mbrojtjes së Ervin Matës për të penguar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Gjykatësi Alexandre de Moraes nuk ka pranuar as argumentin për kërkesën e azilit dhe as pretendimin se dorëzimi i tij duhet të presë përfundimin e një hetimi penal në Brazil.

Dokumenti i siguruar nga gazetari i Euronews Albania Thimi Samarxhiu mban datën 11 nëntor 2026 dhe është publikuar më 12 nëntor.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Supreme, avokatët e Matës kërkuan pezullimin e ekstradimit për shkak të një aplikimi për azil në Brazil. Por gjykatësi Alexandre de Moraes thekson se plotësimi i një formulari elektronik nuk përbën kërkesë zyrtare për marrjen e statusit të refugjatit.

Sipas vendimit, kërkesa nuk ishte formalizuar, pasi Ervin Mata nuk ishte paraqitur personalisht pranë Policisë Federale për të konfirmuar aplikimin. Autoritetet braziliane kishin refuzuar përpunimin e tij për shkak të mungesës së kësaj procedure. Për rrjedhojë, gjykatësi nuk gjeti arsye ligjore për të pezulluar ekstradimin për shkak të pretendimit për azil.

Mbrojtja tentoi të ndalonte dorëzimin e tij edhe për një tjetër arsye. Avokatët kërkuan që ekstradimi të mos kryhej deri në përfundimin e një hetimi penal në Gjykatën Federale të Sao Jose dos Campos. Edhe kjo kërkesë u rrëzua nga Alexandre de Moraes, i cili argumentoi se ekzistenca e hetimeve penale në Brazil nuk përbën pengesë për ekstradimin.

Çështja e Ervin Matës është shqyrtuar më parë nga Gjykata Supreme, e cila në gusht 2026 miratoi njëzëri kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e tij. Pas rrëzimit të ankimeve të mbrojtjes, vendimi mori formë të prerë më 20 tetor.

Me vendimin e fundit, gjykatësi Alexandre de Moraes ka mbyllur edhe një tjetër përpjekje të mbrojtjes për të bllokuar procedurën në gjykatë. Ai ka urdhëruar njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë Publike të Brazilit.

Tashmë, përgjegjësia për vijimin e procedurës dhe realizimin e dorëzimit të Ervin Matës i takon autoriteteve ekzekutive braziliane. Ekstradimi mbetet i kushtëzuar nga vendimi diskrecional i Presidentit të Brazilit dhe garancitë që duhet të paraqesë Shqipëria.

Policia braziliane e ka arrestuar për llogari të autoriteteve shqiptare Ervin Matën, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit kriminal.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër