Në Washington ka nisur takimi i parë i Bordit të Paqes, i ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump, një iniciativë që sipas tij synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për çështje të sigurisë dhe stabilitetit global.
Në këtë mbledhje inauguruese po marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me përfaqësues të lartë nga disa shtete të botës.
Në fjalën hapëse, Trump e cilësoi organizimin e Bordit të Paqes si një nga ngjarjet më të rëndësishme në të cilat është përfshirë gjatë presidencës së tij.
Ai falënderoi liderët e pranishëm për angazhimin dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e paqes.
Duke prezantuar liderët pjesëmarrës, presidenti amerikan pati një mesazh të veçantë për presidenten Osmani.
“Faleminderit shumë, punë të mirë jeni duke bërë edhe ju”, u shpreh ai.
Sipas njoftimeve zyrtare, shtetet që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Bordin e Paqes janë: Argjentina, Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bahrejni, Bjellorusia, Bullgaria, Kamboxhia, Egjipti, El Salvadori, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Kuvajti, Kosova, Maroku, Mongolia, Pakistani, Paraguai, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistani dhe Vietnami.
Takimi pritet të vazhdojë me diskutime mbi sfidat aktuale të sigurisë ndërkombëtare, përfshirë konfliktet rajonale dhe nismat për ndërtimin e besimit mes shteteve pjesëmarrëse.
