Merz: Nuk do ta pranojmë urrejtjen ndaj hebrenjve në Gjermani

Nga D. V.
1,020 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Gjermania nuk do të tolerojë antisemitizmin në vend.

“Ne nuk do ta pranojmë urrejtjen ndaj hebrenjve në këtë vend”, tha ai gjatë fjalimit në Shtutgart, në kongresin e Bashkimit Kristian-demokrat (CDU), ku ishte e pranishme edhe ish-kancelarja Angela Merkel.

Merz drejtoi gishtin nga qarqe politike ku, sipas tij, po zë rrënjë antisemitizmi.

“Ne jemi në krah të hebrenjve në Gjermani dhe në Izrael”,  shtoi ai.

Kancelari theksoi gjithashtu mbështetjen për Ukrainën.

“Ne jemi në krah të miqve tanë ukrainas, pa kushte”, tha Merz.

Sa i përket marrëdhënieve transatlantike, Merz u shpreh se Gjermania nuk do të heqë dorë “në mënyrë sipërfaqësore” nga miqësia me Shtetet e Bashkuara  të Amerikës dhe do të luftojë që kjo miqësi të vazhdojë.

“Gjermania duhet të jetë në formën më të mirë. Përndryshe nuk do t’ia dalim. Gjermania duhet të mbetet një vend industrial”, tha ai duke theksuar se vendi është ende fuqia e tretë ekonomike në botë, por vitet e ardhshme do të përcaktojnë nëse do të mbetet një aktor global.

“Në një Evropë të fortë nevojitet një Gjermani e fortë. Ky është parakushti”, theksoi  kancelari.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër