Momente paniku janë regjistruar në Scandicci, në provincën e Firenze, ku një burrë dyshohet se ka tentuar të rrëmbejë një fëmijë pasditen e së hënës, 16 shkurt 2026.
Denoncimi është bërë nga nëna e djalit 5-vjeçar. Hetimet janë në zhvillim për identifikimin e autorit, i cili u largua menjëherë pas ngjarjes. Ky është rasti i tretë i tentativës për rrëmbim të fëmijëve në Itali brenda më pak se një jave.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, burri iu afrua nënës dhe tentoi t’i merrte fëmijën ndërsa ata ndodheshin në pistën e patinazhit në Scandicci, në periferi të Firences.
Gruaja kundërshtoi menjëherë dhe, pas disa çastesh tensioni të lartë, një përplasjeje të shkurtër fizike dhe thirrjeve për ndihmë, autori hoqi dorë nga tentativa dhe u arratis.
Ishte vetë nëna ajo që telefonoi karabinierët dhe denoncoi ngjarjen. Ajo e ka përshkruar agresorin si një burrë me origjinë të huaj.
Forcat e rendit po vijojnë hetimet, edhe me ndihmën e kamerave të sigurisë në zonë. Sipas informacioneve të para, nuk rezultojnë pamje të qarta që dokumentojnë tentativën e rrëmbimit.
Ngjarja në Scandicci vjen pas dy episodeve të tjera të ngjashme në ditët e fundit. Në Bergamo, në një supermarket të zinxhirit Esselunga në rrugën Corridoni, një 47-vjeçar rumun tentoi të rrëmbente një vajzë njëvjeçare e gjysmë, duke e shkëputur nga nëna e saj dhe duke i shkaktuar edhe thyerje të femurit. Ai u arrestua me akuzat për rrëmbim dhe plagosje të rëndë.
Rasti i dytë u regjistrua në Caivano, në provincën e Napoli, ku një 45-vjeçar në gjendje të dehur tentoi të merrte me forcë një fëmijë 5-vjeçar nga një supermarket, ndërsa ishte me nënën e tij. Edhe në këtë rast, forcat e rendit arrestuan të dyshuarin, një shtetas me origjinë ganeze.
