Kreu i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozheli, bëri me dije se po shqyrtohet mundësia e krijimit të një rrugë alternative për banorët e zonës, pasi segmenti rrugor Librazhd-Prenjas vazhdon të mbetet i mbyllur për shkak të një rrëshqitjeje aktive dhe situatës problematike në terren.
Kozheli deklaroi sot për mediat se situata paraqitet kritike.
“Ajo që e shpresuam të ishte një plan rrëshqitjeje deri në gjashtë metra rezultoi se nuk është i tillë, kemi një rrëshqitje aktive. Masat paraprake për krijimin e bajpasit dhe të unazës sekondare nuk rezultuan efektive, kështu që aksi do të vijojë të mbetet i mbyllur”, tha Kozheli.
“Ne po diskutojmë për një rrugë alternative dhe po shikojmë dy mundësi, ajo ekzistuese që është përdorur nga autojetet, ndërkohë që në një diskutim që patëm sot me banorët e zonës thanë se mund të ekzistojë krijimi i një rruge sekondare. Po e shikojmë dhe po e vlerësojmë”, u shpreh Kozheli.
Ndërkohë Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se segmenti rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec, do të vazhdojë të mbetet i bllokuar për shkak të një rrëshqitjeje masive toke, e cila ka bërë qarkullimin të pakalueshëm.
Sipas ARRSH-së, për arsye sigurie, mjetet e firmës zbatuese janë tërhequr dhe qarkullimi për automjetet dhe këmbësorët është ndaluar. Aktualisht po kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje. Specialistët në terren po shqyrtojnë mundësinë e kalimit vetëm për mjetet e vogla dhe ato të emergjencave në rrugë të veçanta përreth zonës.
ARRSH ka sugjeruar akse alternative për drejtuesit e mjeteve:
Për autoveturat:
Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë
Për mjetet e tonazhit të rëndë:
Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës të ndjekin me kujdes sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, duke treguar kujdes maksimal gjatë qarkullimit.
