Britney Spears arrestohet në Kaliforni, dyshohet për drejtim mjeti në gjendje të dehur

Nga D. V.
907 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Këngëtarja e njohur amerikane Britney Spears është arrestuar në shtetin e Kalifornisë nën dyshimin për drejtim automjeti në gjendje të dehur (DUI).

Sipas të dhënave të konfirmuara nga revista “People”, Spears, 44 vjeç, u arrestua dje në mbrëmje nga policia, në qytetin e Ventura-s, dhe u lirua në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Regjistrat e arrestimit nga Ventura County Sheriff’s Office tregojnë se këngëtarja u arrestua nën dyshimin për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Sipas burimeve të zbatimit të ligjit, procedura u klasifikua si “cite and release”, që do të thotë se ajo u lirua pasi mori një njoftim për t’u paraqitur në gjykatë.

Spears pritet të dalë para gjykatës për këtë incident, më 4 maj. Lajmi për arrestimin u raportua fillimisht nga portali TMZ.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi rastin, ndërsa përfaqësuesit e këngëtares nuk kanë reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment.

Ndërkohë, vëmendje ka tërhequr edhe fakti se Spears duket se ka fshirë llogarinë e saj në Instagram gjatë kësaj jave, pas një periudhe diskutimesh në internet për videot e saj në rrjetet sociale.

Arrestimi vjen pas një periudhe të trazuar në jetën e këngëtares. Në vitin 2021, një gjykatës në Los Anxhelos i dha fund kujdestarisë ligjore 13-vjeçare të Spears ndaj dy djemve të saj.

Muajin e kaluar u konfirmua gjithashtu se ajo ka shitur katalogun e saj muzikor, megjithëse shuma e marrë nuk është bërë publike.

Së fundmi, Spears ka folur hapur edhe për marrëdhëniet e vështira me familjen e saj.

Në një postim në Instagram në shkurt, ajo shkroi se ndjehej e izoluar dhe e lënduar nga mënyra se si ishte trajtuar në të kaluarën, duke shtuar se ndihej “me fat që ishte ende gjallë” pas përvojave që kishte kaluar. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër