Mbi 40 ton vezë të paetiketuara nga Serbia u asgjësuan në Drisla

Nga Xh M
129 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 mars – Mbi 40 ton vezë të pashënuara nga Serbia janë shkatërruar në deponinë e Drislës, pasi shërbimet e inspektimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në koordinim me Administratën Doganore, parandaluan një përpjekje për t’i importuar ato ilegalisht në vend.

Operacioni u krye në pikën kufitare Tabanoc, ku pas një inspektimi të detajuar, u zbuluan gjithsej 572,400 vezë të freskëta, të fshehura pas paletave të para me mallra të deklaruara siç duhet. Në njërën dërgesë u gjetën 270,000 dhe në tjetrën 302,400 vezë të pashënuara. Sipas AUV-së, kishte indikacione se këto produkte do të shënoheshin shtesë dhe do të tregtoheshin në mënyrë të rreme si të prodhuara në vend, gjë që do të rrezikonte si konsumatorët ashtu edhe konkurrencën e prodhuesve të RMV-së.

“Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe vendimtar, u parandalua mashtrimi serioz dhe rreziku potencial për konsumatorët“, thanë nga AUV.

Sasia totale prej 40 tonësh dhe 410 kilogramësh vezë është shpallur e pasigurt dhe është shkatërruar në mënyrë të padëmshme.

AUV njofton se do të vendosen masa të përshtatshme ndaj subjekteve të përfshira, si dhe kontrolle shtesë mbi operacionet e tyre të mëparshme. Institucioni thekson se mbetet i përkushtuar ndaj kontrolleve të përforcuara dhe një lufte pa kompromis kundër mashtrimit ushqimor, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe prodhimit vendas.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër