Fund kaosit në Tetovë? Kasami premton zgjidhje për emrat e rrugëve brenda dy muajsh

Nga Xh M
382 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 4 prill Zhurnal.mk – Problemi i kahershëm me emërtimin e rrugëve në Tetovë pritet të marrë një zgjidhje konkrete brenda dy muajve të ardhshëm. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke theksuar se aktualisht është duke u trajtuar një proces i gjerë që përfshin mbi 300 rrugë dhe më shumë se 1000 propozime.

Sipas tij, komisioni i formuar posaçërisht për këtë çështje është duke punuar intensivisht në shqyrtimin e propozimeve, ndërsa presioni publik mbetet i lartë për të arritur një zgjidhje sa më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

“Po bëjmë një punë të kujdesshme dhe çdo vendim do të merret në përputhje me ligjin,” ka deklaruar Kasami, duke nënvizuar rëndësinë e transparencës dhe korrektësisë në këtë proces.

Autoritetet komunale sqarojnë se emrat ekzistues të rrugëve nuk do të ndryshohen, ndërsa fokusi kryesor është vendosja e emrave për rrugët që aktualisht janë pa emër, apo identifikohen vetëm me numra. Kjo nismë synon t’i japë fund kaosit dhe konfuzionit të krijuar ndër vite për shkak të mungesës së adresave të qarta dhe numrave të shtëpive.

Propozimet e komisionit do të dërgohen për miratim në Këshillin e Komunës së Tetovës, ku për miratimin përfundimtar kërkohet shumicë votash, përfshirë edhe mbështetjen e partive maqedonase, konkretisht të VMRO-DPMNE.

Nga komuna bëhet e ditur se procesi i riemërimit nuk përfshin institucionet arsimore, si shkollat fillore dhe të mesme, por është i fokusuar ekskluzivisht në rrugët dhe adresimin urban.

Ky hap konsiderohet si një ndër më të rëndësishmit për rregullimin urban të Tetovës, duke lehtësuar orientimin, shërbimet publike dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër