Bilali: 35 milionë euro për modernizimin e rrjetit elektrik dhe nënstacioneve në Shëngjin, Shkodër e Fushë-Krujë

Nga D. V.
325 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 prill Zhurnal.mk – Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi sot marrëveshjen e financimit me Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të vendit pas tërmetit të vitit 2019.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali, bëri të ditur se projekti parashikon ndërhyrje të rëndësishme për modernizimin e sistemit të shpërndarjes, duke rritur cilësinë e furnizimit me energji, sigurinë teknike të rrjetit dhe uljen e frekuencës dhe kohëzgjatjes së ndërprerjeve, si dhe humbjeve teknike.

Bilali theksoi se marrëveshja parashikon një kredi të butë në vlerë 35 milionë euro, e cila do të shkojë për ndërtimin dhe rindërtimin e nënstacioneve kryesore në Shëngjin, Shkodër dhe Fushë-Krujë, përmirësimin e linjave të shpërndarjes të tensionit të mesëm dhe të ulët si dhe instalimin e sistemeve të telekontrollit për kabinat elektrike në qarkun Shkodër.

Projekti do të zbatohet në dy faza, atë përgatitore, e cila përfshin studimet e fizibilitetit dhe planifikimin e investimeve dhe fazën e zbatimit të projekteve, ku do të kryhen punimet dhe mbikëqyret realizimi i tyre në terren.

Faza përgatitore parashikohet të përfundojë në dhjetor 2027, ndërsa zbatimi i punimeve do të zgjasë deri në dhjetor 2033.

“Qëllimi i programit është rritja e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji në zona me zhvillim urban, si Shëngjin dhe Fushë-Krujë, përmirësimi i treguesve të performancës SAIDI që ka të bëjë me frekuencën e  ndërprerjes së energjisë gjatë një viti dhe SAIFI që ka të bëjë me kohëzgjatjen e ndërprerjes së energjisë gjatë një viti, rehabilitimi i infrastrukturës ekzistuese dhe ndërtimi i linjave të reja të shpërndarjes, në përputhje me standardet evropiane”, deklaroi Bilali.

Projekti synon gjithashtu të mbështesë zhvillimin e sektorit privat dhe të rrisë interkonektivitetin, duke kontribuar në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në përmirësimin e klimës së biznesit dhe kushteve të jetesës në qarqet Durrës, Lezhë dhe Shkodër.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër