Shkup, 8 prill, Zhurnal.mk – Ka nisur realizimi i një projekti të rëndësishëm infrastrukturor në Komuna e Sarajit, që përfshin rikonstruksionin e rrugës kryesore nga Qendra Rekreative në Saraj deri në fshatin Krushopek.
Sipas njoftimit të Zëvendësminitres në Ministrinë e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, projekti është pjesë e një pakete mbështetëse të Qeverisë me vlerë të përgjithshme prej 3.3 milionë euro për këtë komunë. Fillimi i punimeve është shënuar në prani të kryetarit të komunës, Muhamed Elmazi, drejtorit të NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Muamer Seferi, si dhe qytetarëve të zonës.
Projekti konkret përfshin një gjatësi prej 441.75 metrash dhe kap vlerën e 440.954 eurove. Në kuadër të tij parashihet asfaltimi i rrugës, ndërtimi i trotuareve dhe hapësirave për parkim, ndërtimi i murit mbrojtës, sistemimi i kanalizimit atmosferik dhe vendosja e ndriçimit publik.
Ky investim financohet nga Banka Botërore dhe është një nga katër projektet që po realizohen në Saraj nga Ministria e Transportit.
