Uashington, 17 prill Zhurnal.mk – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar qeveritë evropiane të shmangin masa të përkohshme si ulja e taksave të karburanteve për të zbutur çmimet e larta të energjisë duke i cilësuar ato si joefikase dhe të keqorientuara.
Sipas FMN-së, politikat si kufizimet e çmimeve apo uljet e akcizave mund të duken tërheqëse për të frenuar rritjen e kostove, por janë “masa të pamenduara mirë”.
Organizata thekson se mbështetja e përgjithshme përfiton në mënyrë disproporcionale shtresat me të ardhura më të larta, të cilat konsumojnë më shumë energji.
Analiza bazohet në përvojën e krizës energjetike të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, ku FMN u kërkon qeverive të mos përsërisin “gabime të kushtueshme”.
“Masat e gjera dhe pa afat janë të vështira për t’u tërhequr dhe duhen shmangur”, thekson institucioni me seli në Uashington, duke shtuar se politika të tilla dobësojnë edhe nxitjen për kursim energjie apo investime në alternativa dhe efikasitet.
Sipas të dhënave të FMN-së, qeveritë evropiane shpenzuan mesatarisht 2,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për paketat e lehtësimit energjetik gjatë krizës së vitit 2022. Mbi dy të tretat e këtyre shpenzimeve nuk ishin të targetuara.
Analiza tregon se vetëm 0,9% e PBB-së do të mjaftonte për të kompensuar plotësisht rritjen e kostove për 40% të familjeve me të ardhura më të ulëta.
Në Gjermani, ekonomia më e madhe e Evropës, koalicioni qeverisës ka propozuar uljen e taksave për naftën dhe benzinën me rreth 0,17 euro për litër për një periudhë dy mujore, si reagim ndaj krizës së fundit të furnizimit me energji, e lidhur me konfliktin SHBA-Izrael me Iranin.
Sipas draftit, normat e reduktuara do të zbatoheshin nga 1 maji deri më 30 qershor, ndërsa parlamenti pritet të vendosë përfundimisht javën e ardhshme.
