Merz vlerëson marrëveshjen tregtare BE-Mercosur

Nga D. V.
132 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Hanover, 20 prill, Zhurnal.mk – Kancelari gjerman Friedrich Merz vlerësoi sot marrëveshjen tregtare mes Bashkimi Evropian dhe vendeve të Amerikës së Jugut, si një përgjigje ndaj zhvillimeve aktuale gjeopolitike, gjatë një takimi me presidentin e Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva.

“Marrëveshja e BE-së me vendet e Mercosur – ku përfshihen Brazili, Argjentina, Uruguai dhe Paraguai – që pritet të zbatohet përkohësisht nga 1 maji, shihet si një përgjigje ndaj përpjekjeve, për të zëvendësuar rendin ndërkombëtar, të bazuar në rregulla, me politikën e fuqisë – duke përdorur mjete ushtarake”, tha Merz.

Duke folur gjatë vizitës së përbashkët në panairin industrial “Hannover Messe 2026″, Merz theksoi se marrëveshja është një sinjal kundër politikave të bazuara në forcë dhe në favor të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Nga ana e tij, Lula bëri thirrje për thellimin e bashkëpunimit mes Evropës dhe Amerikës Latine, duke kërkuar që ai të bëhet më produktiv, më efektiv dhe më i mirë.

Ai theksoi rëndësinë e një rendi botëror të bazuar në rregulla dhe institucione ndërkombëtare.

“Bota nuk mund të qeveriset nga gënjeshtrat. Ajo nuk mund të drejtohet nga dikush që mendon se është më i rëndësishëm se të tjerët dhe imponon vendime sikur të mos ekzistonte demokracia”, tha ai.

Vizitë me zhvillime të papritura

Më shumë se 3 000 ekspozues, përfshirë kompani si SAP, Microsoft dhe Siemens, po prezantojnë risitë e tyre në panairin e Hanoverit, i cili vitin e kaluar tërhoqi rreth 127 000 vizitorë.

Megjithatë, vizita e përbashkët e dy liderëve në panair nuk shkoi sipas planit. Pas një deklarate të shkurtër hapëse, Merz dhe Lula vazhduan vizitën në mënyrë të ndarë, duke anuluar edhe deklaratën e përbashkët të planifikuar në fund të turit.

Sipas burimeve qeveritare, vendimi për t’u ndarë u mor me mirëkuptim të ndërsjellë për shkak të vonesave nga delegacioni brazilian, me qëllim mbulimin e sa më shumë stendave ekspozuese.

Fokusi te tregtia dhe bashkëpunimi

Në vijim, të dy vendet pritet të zhvillojnë konsultime qeveritare me pjesëmarrjen e rreth 15 ministrave, ku do të diskutohen fusha si tregtia, lëndët e para, mbrojtja, digjitalizimi, kërkimi shkencor dhe mbrojtja e klimës.

Marrëveshja BE-Mercosur, që krijon një zonë të tregtisë së lirë me mbi 700 milionë banorë, pritet të jetë në qendër të diskutimeve.  

Gjithashtu, në bisedime pritet të përfshihen edhe çështje të krizës energjetike dhe zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë politikat e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Iranit dhe vendeve të Amerikës Latine si, Venezuela dhe Kuba.

“Trump nuk është zgjedhur perandor i botës”, tha Lula për revistën gjermane “Der Spiegel” përpara vizitës së tij në Gjermani.

Gjermania zhvillon konsultime qeveritare vetëm me partnerë të afërt strategjikë si Franca, Polonia dhe Italia, si dhe me vende kyçe si Brazili dhe India.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër