Shfuqizimi i ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Nga D. V.
110 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 prill, Zhurnal.mk – Gjykata Kushtetuese zbardhi sot vendimin e marrë në muajin shkurt ku pranohet kërkesa për shfuqizimin e vendimit të parlamentit “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit”, si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Kushtetuesja me vendimin e saj arriti në përfundimin se Kuvendi nuk respektoi procedurat kur në nisje të legjislaturës së re në shtator të vitit të shkuar, rikompozoi të gjithë arkitekturën e komisioneve të përhershme parlamentare, duke shtuar numrin nga 8 në 11.

Vendimi erdhi pas ankesës së deputetëve demokratë për shkelje procedurash nga parlamenti.

Sipas tyre, ndryshimet që parashikonin rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11, ishin të njëanshme.

“Gjykata Kushtetuese çmon se votimi me procedurë të përshpejtuar për miratimin e dispozitave të Rregullores, të cilat kanë ndryshuar numrin dhe fushën e përgjegjësive të komisioneve të përhershme parlamentare, pa u dhënë deputetëve të pakicës parlamentare mundësinë për t’u njohur paraprakisht me përmbajtjen e projektvendimit, tejkalon diskrecionin e Parlamentit në organizimin e procedurave parlamentare dhe nuk arrin një ekuilibër të drejtë midis parimit të autonomisë parlamentare dhe atij të demokracisë përfaqësuese”, thuhet në vendim.

Në argumentimet e vendimit, Gjykata vlerëson se mënyra e thirrjes së Kuvendit në seancë plenare, si dhe procedura e përshpejtuar e miratimit të ndryshimeve të Rregullores kanë sjellë cenimin e parimit të demokracisë përfaqësuese në drejtim të lirisë së shprehjes së deputetëve të pakicës parlamentare. Për rrjedhojë, pretendimi i kërkuesit në këtë drejtim është i bazuar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër