Tiranë, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Reshjet e shiut dhe dëborës gjatë natës në Qarkun e Shkodrës nuk kanë shkaktuar problematika në pesë bashkitë e tij, ndërsa situata paraqitet e qëndrueshme. Prefektura e Qarkut Shkodër ka bërë një përditësim mbi situatën në terren, duke raportuar vetëm rënie gurësh dhe depozitime inertesh në disa akse rrugore, të cilat janë pastruar nga firmat e mirëmbajtjes.
Në njoftim thuhet se gjatë natës, në territorin e Qarkut Shkodër janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar. Situata paraqitet e qëndrueshme dhe deri në këto momente, nga 5 bashkitë e qarkut nuk raportohen problematika të lidhura me emergjencat civile.
Nga monitorimi i kryer nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, rezulton se nivelet e ujit mbeten nën kuotat e rrezikut dhe nuk raportohen problematika në veprat ujore.
Në akset rrugore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, gjatë natës janë evidentuar rënie gurësh dhe dalje materialesh inerte në trupin e rrugës. Firmat kontraktore të mirëmbajtjes janë angazhuar në terren dhe kanë kryer pastrimin e tyre.
Aktualisht, qarkullimi në të gjitha këto akse vijon normalisht, pa problematika të raportuara.
Prefektura e Qarkut Shkodër vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin me bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, me prioritet garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe reagimin në kohë ndaj çdo problematike.
