Tiranë, 20 prill Zhurnal.mk – Anëtari i Këshillit Kombëtar i PD-së, Lisandër Hoxha bën thirrje për një reflektim të thellë mbi strategjinë dhe aksionin opozitar, duke theksuar se përballja me qeverinë kërkon moral politik dhe zgjidhje konkrete. Sipas Hoxhës, halli kryesor i vendit është “kapja peng e demokracisë”, një situatë që, sipas tij, zhbën çdo çështje tjetër sekondare.
Ai vuri në pikëpyetje mënyrën e organizimit të protestave, duke sugjeruar nevojën për qasje më inovative. “Jo të protestojmë, po të rrimë çdo natë para kryeministrisë, nuk ndryshon gjë. Çështja e strategjisë dhe e frymëzimit është komplekse, ato kanë të bëjnë me moralin politik”,-u shpreh Hoxha në ”A2cnn”, duke shtuar se suksesi i një proteste varet drejtpërdrejt nga qëllimet që organizatorët i vendosin vetes.
Hoxha propozoi se aksioni mund të mos jetë domosdoshmërisht në formën klasike. “Mund të ketë forma të tjera më kreative. Mund të fillonte nëpër rrethe dhe pastaj ta bëje një të madhe, dy të mëdha në Tiranë,” nënvizoi ai, duke e cilësuar mënyrën e protestës si një veprim strategjik që duhet të sjellë shtetin në “shinat e demokracisë”.
Përfaqësuesi i PD-së theksoi se kjo betejë nuk i përket vetëm opozitës, por çdo qytetari, përfshirë edhe të majtët që refuzojnë vjedhjen e buxhetit. Ai bëri thirrje për një qeveri teknike si rrugën e vetme drejt zgjidhjes. “Vendi ka shkuar në humnerë dhe nuk ka bir nëne që e shpëton këtë vend pa patur një qeveri teknike në Shqipëri,” përfundoi Hoxha, duke kërkuar përgjegjshmëri të lartë politike nga të gjitha palët.
