Bernardo Silva është në kërkim të skuadrës së re pas konfirmimit të largimit nga Manchester City, ndërsa një detaj jashtë fushës mund të ndikojë ndjeshëm në destinacionin e tij të ardhshëm, lidhjet familjare në Barcelonë.
Sipas raportimeve të gazetës Sport, mesfushori portugez pritet të vendosë duke e vënë në plan të parë projektin sportiv dhe aspektin familjar, më shumë sesa ofertat financiare.
Mediumi shkruan se Silva “dëshiron të vazhdojë të garojë në nivelin më të lartë dhe të jetojë pranë rrethit të tij të afërt”.
Në këtë kontekst, Barcelona po shihet si një opsion gjithnjë e më i mundshëm, pasi në qytetin katalanas jetojnë motra e bashkëshortes së tij dhe bashkëshorti i saj, çka mund të jetë një faktor vendimtar në zgjedhjen finale.
Ai ishte pranë kalimit në “Camp Nou” edhe më herët, por negociatat nuk u finalizuan.
Babai i lojtarit, duke iu referuar kontakteve të vitit 2022, ka deklaruar se pati bisedime, por jo në kohën e duhur: “Kishte shumë biseda me Barçën, por nuk bënë një ofertë zyrtare kur ne mendonim se ishte momenti i duhur. Kur ajo erdhi, kuptuam se nuk ishte më koha e përshtatshme për të gjitha palët”.
Përveç Barcelonës, Bernardo Silva po monitoron edhe opsione të tjera, si Juventusin, Benficën, si dhe disa klube nga MLS në SHBA dhe liga saudite.
Megjithatë, sipas Sport, Barcelona mbetet destinacioni më tërheqës në këtë fazë, edhe pse realizimi i transferimit do të kërkonte një kompromis financiar nga ana e lojtarit, për shkak të situatës ekonomike të klubit katalanas.

