Tiranë, 24 prill, Zhurnal.mk – Porti i Durrësit ka mirëpritur një delegacion me 60 përfaqësues të NATO-s në kuadër të përgatitjeve për stërvitjen Steadfast Dart 27.
Gjatë këtij takimi zhvilluar në sallën e konferencave “Hysni Aruçi”, delegacioni u njoh mbi kapacitetet infrastrukturore dhe mbështetëse të vendit tonë, në raport me parapërgatitjet mbi stërvitjet e përbashkëta të forcave aleate.
Gjithashtu përfaqësuesit e NATO-s u njohën nga afër me kapacitetet portuale, logjistike dhe akomoduese, me fokus në Portin e Durrësit dhe Porto Romanos, në funksion të organizimit të stërvitjes ndërkombëtare STDT 27, ku Shqipëria është vend pritës së bashku me partnerët e rajonit.
Në këtë fazë janë parashikuar të marrin pjesë dhjetëra efektivë nga komandat operacionale dhe taktike të NATO-s, ndërsa lëvizja e mjeteve dhe personelit do të përditësohet në mënyrë dinamike.
Kjo vizitë përforcon bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional, duke konsoliduar rolin strategjik të porteve shqiptare në operacionet dhe stërvitjet e NATO-s, ku vendi ynë mbetet një partner i besueshëm dhe një nyje kyçe në rajon për mbështetjen e operacioneve të forcave të aleancës.
