Tiranë, 09 tetor, Zhurnal.mk – Kreu i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Klevis Qose priti në takim kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Michel Tarran, me të cilin diskutoi vijimin e bashkëpunimit institucional, me fokus forcimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e mbikëqyrjes policore.
Qose shprehu vlerësimin për mbështetjen e dhënë nga Prezenca e OSBE-së gjatë kohës kur drejtonte sistemin penitenciar, si dhe për gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin edhe në detyrën e tij të re.
“Bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe shkëmbimi i praktikave më të mira mbeten thelbësore për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e agjendës sonë të përbashkët”, u shpreh Qose.
Nga ana e tij, ambasadori Tarran vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me institucionin dhe shprehu gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së për ta vijuar atë.
“Prania e OSBE-së në Shqipëri ka një bashkëpunim të frytshëm prej kohësh me agjencinë tuaj. Jam i sigurt që do të vazhdojmë këtë bashkëpunim. Puna juaj, puna e agjencisë ka një rëndësi të veçantë dhe ne si Prezencë e OSBE-së në Shqipëri jemi në dispozicion për t’ju ndihmuar”, deklaroi Tarran.
Qose e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe vëmendjen e treguar ndaj institucionit, duke e cilësuar bashkëpunimin me Prezencën e OSBE-së si të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale.
