Marrëveshje për standardizimin e statistikave në drejtësi, Gogu: Themel për politika më të sakta

Nga D. V.
482 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 prill Zhurnal.mk – Harmonizimi dhe standardizimi i statistikave në drejtësi është në fokus të marrëveshjes së nënshkruar sot mes Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, dhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.

Ministri, në fjalën e tij, e cilësoi marrëveshjen si një hap thelbësor për funksionimin efektiv të sistemit.

Në fjalën e tij, ministri Gogu theksoi se deri më sot sistemi ka vuajtur nga mungesa e një metodologjie të unifikuar në mbledhjen dhe interpretimin e të dhënave.

“E njëjta çështje, në institucione të ndryshme, numërohet ndryshe. Kjo do të thotë që shpesh nuk dimë saktë ku është problemi dhe në disa raste marrim vendime mbi baza jo të plota,” u shpreh ministri.

Sipas tij, marrëveshja nuk shton një reformë të re, por vendos një themel të domosdoshëm për çdo reformë: të dhëna të sakta dhe të njëtrajtshme.

Ministri bëri të ditur se përmes kësaj marrëveshjeje do të standardizohet mënyra e mbledhjes dhe klasifikimit të të dhënave, duke krijuar krahasueshmëri reale mes gjykatave, prokurorisë dhe institucioneve të tjera.

“Do të dimë me saktësi sa kohë zgjat një çështje, ku krijohet stoku dhe ku duhet ndërhyrë,” deklaroi Gogu.

Ai sqaroi gjithashtu rolin e Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në institucionet e pavarura, por për krijimin e një gjuhe të përbashkët në të dhëna që mundëson analizë dhe politika më të sakta.

Në vijim, ministri e lidhi këtë zhvillim drejtpërdrejt me qytetarët, duke theksuar se qëllimi final është përmirësimi i kohës dhe cilësisë së shërbimit që ata marrin nga sistemi i drejtësisë.

“Kjo nuk është një marrëveshje për statistika, por për kohën e qytetarit,” u shpreh ai.

Gogu nënvizoi gjithashtu rëndësinë e standardizimit të të dhënave në procesin e integrimit europian, duke theksuar se progresi i vendeve kandidate matet gjithnjë e më shumë mbi baza konkrete dhe të verifikueshme.

“Pa të dhëna të besueshme, të krahasueshme dhe të qëndrueshme në kohë, progresi nuk mund të vlerësohet realisht,” përfundoi ministri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër