Jessica Mann trondit me deklaratën në gjyqin kundër Harvey Weinstein: Më ra të fikët ndërsa ai më përdhunonte, për shkak të ashpërsisë së tij

Nga D. V.
514 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ish-aktorja Jessica Mann të martën, në një gjykatë në Manhattan, e përshkroi mes lotësh para jurisë se si producenti dikur shumë i fuqishëm Harvey Weinstein dyshohet se u përpoq ta detyronte të merrte pjesë në një marrëdhënie seksuale në treshe dhe më pas e dhunoi seksualisht në një dhomë hoteli në vitin 2013, shkruan New York Post.

Mann u thye në bankën e dëshmitarëve teksa dëshmonte për herë të tretë për sulmin e pretenduar. Ajo tregoi se si Weinstein, i cili sipas saj atëkohë peshonte rreth 136 kilogramë, e kishte mbajtur të shtrënguar në shtrat.

“Vazhdimisht po thosha ‘Jo’ dhe po përpiqesha të largohesha”, tha ajo duke qarë, ndërsa jurisë i demonstroi se si Weinstein dyshohet se ia mbante të dy kyçet e duarve të ngritura mbi kokë gjatë ngjarjes në hotelin Doubletree në Midtown, më 18 mars 2013. “U soll me mua sikur të isha pronë e tij”, shtoi ajo.

Mann deklaroi se ai e kishte dhunuar seksualisht edhe një herë tjetër më vonë po atë vit, dhe se gjatë atij rasti ajo kishte humbur ndjenjat, sepse ai ishte “aq i rëndë”.

Weinstein, i cili në sallën e gjyqit u pa i ulur në karrocë invalidi, ishte dënuar në vitin 2020 për dhunimin e Jessica Mann, por gjykata më e lartë e shtetit të Nju Jorkut e rrëzoi atë vendim. Në rigjykim, juria nuk arriti të marrë një vendim për këtë pikë të akuzës. Kjo është hera e tretë që Mann, e cila sot është 40 vjeçe, dëshmon kundër ish-mogulit të Hollivudit.

 Jessica Mann (Foto: Getty Images)

Ajo tregoi se Weinsteinin e kishte njohur në Los Angeles, kur ishte 27 vjeçe dhe në fillimet e karrierës së saj si aktore. Sipas saj, admirimi i tij për potencialin e saj shumë shpejt u shndërrua në përpjekje për të pasur marrëdhënie seksuale me të. Mann tha se, për një periudhë, kishte edhe një raport me pëlqim me të, sepse shpresonte se mund të zhvillohej një “lidhje dashurie”, duke shtuar se fuqia e Weinstein në Hollivud kishte ndikuar në vendimet e saj.

Ajo e përshkroi atë si një person që mund të kalonte brenda çastit nga “ikonë e Hollivudit” në një njeri kapriçioz, që krijonte dramë nëse nuk merrte atë që donte.

“Harvey më tregonte shumë histori për sa i fuqishëm është dhe çfarë kishte bërë”, tha Mann, e cila sot punon si kozmetologe dhe parukiere. Sipas saj, ai linte përshtypjen se “miqtë e tij shkojnë shumë larg”, ndërsa “armiqtë e tij në këtë qytet s’kanë çfarë kërkojnë”.

Mann shtoi se Weinstein i kishte thënë se kishte një “martesë të hapur” me bashkëshorten e tij të atëhershme, Georgina Chapman, dhe se një herë i ishte qeshur në fytyrë kur ajo e kishte pyetur nëse ai ishte i dashuri i saj.

“Ai përmendte vazhdimisht emra të ndryshëm”, tha ajo, duke treguar se ishte e shqetësuar nga lidhjet e tij me njerëz të fuqishëm, përfshirë edhe ish-presidentin Bill Clinton. “Kjo ishte thjesht pjesë e realitetit se kush ishte ai. Ai nuk është një person normal. Nuk isha në një lidhje me një person normal”.

 Jessica Mann (Foto: Profimedia)

Mann dëshmoi edhe për një ngjarje të shkurtit 2013 në hotelin Montage në Beverly Hills, kur Weinstein dyshohet se tentoi ta bindte për një marrëdhënie seksuale në treshe me aktoren italiane Emanuela Postacchini. Ajo tha se atëherë pati një “kolaps të plotë”, iku në banjë dhe filloi të qante. Sipas saj, Weinstein më pas fjeti me Postacchini, ndërsa asaj i kishte thënë: “Oh, nuk do ta provoj më kurrë këtë me ty”.

Weinstein në vitin 2020 u dënua për dhunimin e Mann dhe për detyrimin e ish-asistentes së produksionit, Mimi Haley, për seks oral. Pas rrëzimit të atij vendimi, në rigjykimin e verës së kaluar juria e shpalli sërish fajtor për akuzën që lidhet me Haley, por nuk arriti të merrej vesh për akuzën e ngritur nga Mann.

Pavarësisht gjithçkaje, Mann deklaroi në gjykatë se ende beson se Weinstein është “gjeni”. “Ka gjëra te Harvey që më pëlqejnë vërtet”, tha ajo, ndërsa Weinstein, sipas raportimeve, buzëqeshi lehtë në drejtim të jurisë.

Weinstein është deklaruar i pafajshëm për akuzat që lidhen me Mann. Në rast të një dënimi për çështjen e Haley, ai rrezikon deri në 25 vjet burg. Ai aktualisht po vuan edhe një dënim prej 16 vitesh burg për një vendim të mëparshëm në Kaliforni, ku u shpall fajtor për dhunim. Pritet që Mann të rikthehet të mërkurën në bankën e dëshmitarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër