Shkup, 2 maj, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit rreth projektit në MEPSO, duke akuzuar se pas anulimit të kontratës dhe vendimeve pasuese fshihet një skemë e dyshimtë që, sipas tyre, ka prodhuar dëm milionësh për shtetin.
Në reagimin e saj, BDI thekson se deklaratat e fundit të VLEN-it, në përpjekje për të mbuluar, siç thuhet, skandalin në MEPSO, kanë zbuluar vetë lidhjet dhe rrjedhën e vendimeve që çojnë drejt dyshimeve serioze për keqpërdorime. “Nuk është më çështje opinionesh, por një zinxhir vendimesh që ka rezultuar me pasoja financiare për qytetarët”, thuhet në reagim.
BDI ngre dyshime për rolin e ish-drejtorit të MEPSO-s, Kushtrim Ramadani, duke theksuar se pas largimit nga ky institucion ai është emëruar drejtor në një kompani të ngrohjes në Komunën e Çairit, e cila më pas, sipas tyre, ka kaluar në pronësi private te persona të afërt me kryetarin e komunës, Izet Mexhiti.
Sipas BDI-së, ky zhvillim hap një sërë pyetjesh që kërkojnë përgjigje institucionale: kush janë pronarët e rinj të kompanisë, si kanë hyrë në këtë strukturë dhe çfarë roli kanë pasur në vendimmarrjet që lidhen me anulimin e kontratës me “Energoinvest”, si dhe me përzgjedhjen e një kompanie tjetër nga Banja Luka për projektin në MEPSO.
“Këto janë pyetje të drejtpërdrejta, sepse qytetarëve po u mbetet një faturë prej miliona eurosh”, thekson BDI, duke shtuar se çdo dëm publik duhet të shoqërohet me përgjegjësi konkrete.
Në këtë drejtim, partia opozitare kërkon nga organet e drejtësisë që të nisin hetime të plota dhe të ndjekin të gjithë zinxhirin e vendimeve – nga anulimi i kontratës fillestare, te ndryshimet në pronësi dhe deri te përzgjedhja e operatorit të ri.
“Dikush ka përfituar nga kjo skemë dhe ai duhet të dalë me emër”, përfundon reagimi i BDI-së.
