Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë: Standard më i qartë për “arrestin në burg”, kërkon arsyetim konkret

Nga D. V.
406 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 4 maj, Zhurnal.mk – Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me përbërje të 16 gjyqtarëve, morën sot vendim mbi standardet që duhet të udhëheqin gjykatat në caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.

Çështja u shqyrtua pas nismës së kryetarit të Gjykatës së Lartë, i cili, në ushtrim të rolit kushtetues dhe ligjor të Gjykatës së Lartë për garantimin e një praktike gjyqësore të njëtrajtshme, të qëndrueshme dhe të parashikueshme, vuri në lëvizje Kolegjet e Bashkuara për t’i dhënë përgjigje shqetësimeve të evidentuara në praktikën gjyqësore lidhur me mënyrën se si kërkohej, arsyetohej, kontrollohej dhe zbatohej masa “arrest në burg”, si dhe për ta orientuar këtë praktikë drejt standardeve kushtetuese e konventore për mbrojtjen e lirisë personale.

Kolegjet e Bashkuara vlerësuan se praktika gjyqësore kërkonte qartësim, saktësim, standardizim, ndryshim dhe zhvillim të mëtejshëm në mënyrën e kuptimit dhe zbatimit të masës “arrest në burg”. Përmes këtij vendimi, Kolegjet orientojnë gjykatat drejt zbatimit të standardeve në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke ritheksuar se kufizimi më i rëndë i lirisë personale nuk mund të mbështetet në formulime të përgjithshme, por kërkon arsyetim konkret, të individualizuar dhe të kontrollueshëm.

Kolegjet e Bashkuara përcaktuan tri rregulla kryesore.

Sipas Kolegjeve të Bashkuara masa e sigurimit “arrest në burg” duhet të trajtohet si një mjet përjashtimor dhe jo si rregull, duke kërkuar që gjykatat të bëjnë një analizë reale dhe të individualizuar për çdo rast.

“Së pari, formulimi i mëparshëm, sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrimin të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret, nuk është në përputhje me nenet 228-230 dhe 245/1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Për këtë arsye, gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i individualizuar, i mbështetur në fakte dhe i lidhur drejtpërdrejt me rrethanat konkrete të çështjes

“Së dyti, masa “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme. Rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa”, thuhet në vendim.

Kolegjet e Bashkuara theksuan gjithashtu se barra e provës për nevojën e masës “arrest në burg” i takon prokurorisë, ndërsa gjykata duhet ta verifikojë në mënyrë të vazhdueshme këtë nevojë gjatë gjithë procedimit, pavarësisht qëndrimit të palëve.

“Së treti, barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg” i takon prokurorisë. Gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë këtë nevojë në çdo fazë të procedimit. Vendimmarrja e saj nuk mund të kushtëzohet nga paraqitja ose jo e “provave pozitive” nga i pandehuri”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, ky qëndrim i Kolegjeve të Bashkuara synon forcimin e garancive për lirinë personale, rritjen e standardit të arsyetimit gjyqësor dhe harmonizimin e praktikës me Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Ky vendim ka rëndësi të veçantë për sistemin gjyqësor dhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, pasi qartëson kushtet, kufijtë dhe mënyrën e arsyetimit të masës “arrest në burg”, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe standardet e GJEDNJ-së. Në këtë mënyrë, Kolegjet e Bashkuara forcojnë qëndrueshmërinë, njëtrajtshmërinë dhe parashikueshmërinë e praktikës gjyqësore, duke vendosur në qendër garancitë e lirisë personale dhe nevojën për një kontroll gjyqësor real, konkret dhe proporcional”, thuhet ne vendim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër