Tiranë, 4 maj, Zhurnal.mk – Këshilli për Legjislacionin zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku në rend dite ishte shqyrtimi i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së datës 30 prill 2026, këshilli zhvilloi dëgjesë me relatoren Aulona Bylykbashi lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që shpall si të papajtueshme me Kushtetutën disa dispozita të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Në përfundim të diskutimeve, Këshilli për Legjislacionin miratoi propozimin që çështja t’i kalojë për shqyrtim Këshillit të Ministrave.
Mbledhja vijoi me dëgjesën e relatorëve Gjin Gjoni dhe Erion Malaj për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili shfuqizon vendimin e Kuvendit mbi disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Pas diskutimeve, këshilli vendosi që kjo çështje t’i kalojë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
