Hapet Gjykata Administrative, Haxhiu: Moment i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë

Nga D. V.
430 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 5 Maj, zhurnal.mk – Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë është hapur Gjykata Administrative e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila fillimin e funksionimit të kësaj gjykate e cilësoi si një moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend.

Ajo tha se rëndësia e kësaj gjykate nuk qëndron vetëm në themelimin formal, por në ndikimin që do të ketë në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Fillimi i punës së Gjykatës Administrative është ditë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, por rëndësia e saj e vërtetë do të ndihet jashtë këtyre ambienteve. Në zyrat, në shtëpitë ku qytetarët presin përgjigje. Në familjet që varen nga një vendim në punën e përditshme të administratës dhe në besimin që njerëzit kanë në raport me shtetin”, deklaroi ajo.

“Vendimet administrative prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Kosovës. Kur e kemi nisur këtë punë në Ministrinë e Drejtësisë, kemi pasur para vetes një problem të njohur, shteti vendos kurse qytetari shpesh detyrohet të presë gjatë për ta kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm. Në një Republikë demokrati,e, vendimi i administratës nuk mund ta lë qytetarin pa rrugë. Edhe sot në një kapacitet tjetër, e shoh këtë gjykatë me të njëjtën bindje, reforma nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj por atëherë kur qytetari fillon ta ndjej në jetën e vet. Me  hapjen e Gjykatës Administrative uroj fort që qytetari ta ndjej dorën e shtetit dhe uroj që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme dhe e përgjegjshme”, shtoi Haxhiu.

Gjykata Administrative do të ketë rëndësi edhe për vetë administratën. Çdo vendim i saj do të jetë mësim për zyrën publike: Si duhet të arsyetohet një akt; Si duhet të respektohet afati; Si duhet të trajtohet pala; Dhe si duhet të shmanget përsëritja e gabimit.

Shteti bëhet më i mirë kur pranon të korrigjohet.Puna e gjykatës nuk duhet të jetë e rëndësishme vetëm për qytetarin që e fiton një kontest. Do të jetë e rëndësishme edhe për administratën që mëson nga ai”, tha Haxhiu.

Arjeta Sadiku, ushtruese e detyrës së Kryesueses së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se kjo gjykatë do të jetë e specializuar për të shqyrtuar dhe vendosur çështjet në konflikte administrative dhe kontestet nga marrëdhënia e punës në juridiksionin e saj.

“Sot jemi mbledhur për të shënuar një moment të rëndësishëm historik dhe institucional për sistemin gjyqësor në Republikën e Kosovës, hapjen zyrtare të Gjykatës Administrative.

Siç është e njohur, Ligji për Gjykatën Administrative ka hyrë në fuqi më 6 shkurt 2026 dhe në përputhje me dispozitat kalimtare është përcaktuar një afat tremujor për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për funksionalizimin e kësaj gjykate. Sot, pas përmbushjes së këtij afati dhe një procesi intensiv institucional e organizativ, Gjykata Administrative po vihet në funksion ashtu siç është paraparë me ligj.

Të nderuar të pranishëm, Gjykata Administrative përfaqëson një risi të rëndësishme në sistemin gjyqësor të Kosovës. Kjo gjykatë do të jetë e specializuar për të shqyrtuar dhe vendosur çështjet në konflikte administrative dhe kontestet nga marrëdhënia e punës në juridiksionin e saj, duke ofruar një mekanizëm të pavarur, profesional dhe efikas të kontrollit gjyqësor në vendimet e organeve administrative.

Megjithatë, funksioni efikas i këtij mekanizmi nuk mund të arrihet pa një bashkëpunim të mirëfilltë institucional. Organet administrative dhe Gjykata Administrative nuk duhet të shihen si palë në kundërshtim, por si pjesë e një sistemi të përbashkët që synon garantimin e ligjshmërisë dhe transparencës.

Bashkëpunimi i mirëfilltë nënkupton, para së gjithash, respektimin e vendimeve gjyqësore nga ana e organeve administrative. Zbatimi i drejtë dhe i menjëhershëm i këtyre vendimeve rrit besimin e qytetarëve në institucione dhe forcon autoritetin e drejtësisë. Po ashtu, komunikimi i hapur dhe profesional ndërmjet administratës dhe gjykatës ndihmon në shmangien e keqkuptimeve dhe përmirësimin e cilësisë së vendimmarrjes administrative.

Në një shtet demokratik, asnjë institucion nuk funksionon i izoluar dhe jo rastësisht sot jemi këtu bashkë me përfaqësuesit e organeve administrative dhe përfaqësues të tjerë relevantë, të cilët janë pjesë përbërëse e drejtësisë administrative. Kjo bëhet me qëllim të përcjelljes së mesazhit të qartë: që të marrim përgjegjësinë e përbashkët për zbatim të drejtë të ligjit, për zbatim të vendimeve gjyqësore dhe shërbime cilësore për qytetarët”, tha Sadiku.

Fejzullah Rexhepi, kryetari i Gjykatës Supreme tha se Gjykata Administrative ka një rol kyç në garantimin e mbrojtjes juridike të qytetarëve dhe subjekteve juridike përballë vendimeve të administratës.

“Është nder dhe përgjegjësi e veçantë që sot, në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës Supreme, t’ju drejtohem me rastin e fillimit të punës së Gjykatës Administrative. Ky moment shënon një zhvillim të rëndësishëm në avancimin e sistemit tonë gjyqësor dhe në forcimin e shtetit ligjor. Themelimi dhe funksionalizimi i kësaj gjykate është dëshmi e përkushtimit tonë për të ndërtuar një drejtësi më efektive, më të specializuar dhe më të qasshme për qytetarët.

Gjykata Administrative ka një rol kyç në garantimin e mbrojtjes juridike të qytetarëve dhe subjekteve juridike përballë vendimeve të administratës. Ajo do të sigurojë që çdo veprim dhe akt administrativ të jetë në përputhje me ligjin dhe standardet e drejtësisë, duke përforcuar kështu besimin e qytetarëve në institucionet tona.

Në këtë kontekst, integriteti dhe pavarësia gjyqësore janë themeli mbi të cilin ndërtohet çdo sistem i drejtë dhe funksional. Integriteti nuk është vetëm një parim etik, por një detyrim i përditshëm që kërkon ndershmëri, përgjegjësi dhe transparencë në çdo vendim që merret. Qytetarët duhet të jenë të bindur se drejtësia jepet pa ndikime të jashtme, pa paragjykime dhe pa kompromis ndaj zbatimit të ligjit dhe kushtetutës.

Pavarësia gjyqësore është po aq thelbësore. Ajo nënkupton që gjyqtarët vendosin vetëm mbi bazën e ligjit dhe fakteve, të lirë nga çdo presion apo ndikim politik, institucional, personal apo grupe interesi. Ruajtja e kësaj pavarësie kërkon jo vetëm garanci ligjore, por edhe guxim profesional dhe etik nga vetë gjyqtarët. Është përgjegjësia jonë kolektive që ta mbrojmë këtë pavarësi dhe ta forcojmë çdo ditë. Ruajtja e pavarësisë nënkupton se shteti ligjor është në funksion të qytetarit dhe rol veçanërisht të rëndësishëm ka Gjykata Administrative, e cila duhet të shërbejë si garantuese në parandalimin që bartësit e pushtetit të keqpërdorin dhe të abuzojnë me pushtetin e tyre për interesa politike ditore, grupore, klanore dhe në dëm të qytetarëve.

Si Kryetar i Gjykatës Supreme, e konsideroj se Gjykata Administrative është një hap dhe shtyllë e rëndësishme në konsolidimin e sistemit gjyqësor dhe në përmbushjen e obligimeve tona për reforma të qëndrueshme. Përmes specializimit të gjyqtarëve dhe përmirësimit të procedurave, ne synojmë të rrisim cilësinë e vendimmarrjes dhe efikasitetin e drejtësisë.

Jam i bindur se gjyqtarët dhe stafi i Gjykatës Administrative do të veprojnë me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë ndaj zbatimit të ligjit. Puna juaj do të jetë thelbësore në garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe në sigurimin e një administrate shtetërore të përgjegjshme dhe me veprime të ligjshme në përballje të qytetarit të thjeshtë me aparaturën shtetërore.

Në këtë ditë të rëndësishme, dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në themelimin dhe funksionalizimin e kësaj gjykate. Kjo gjykatë është dëshmi e punës së përbashkët të institucioneve, në këtë rast të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatës Supreme, e mbështetur në letrën e përbashkët të zotimit. Me themelimin e kësaj gjykate është përmbyllur mozaiku i sistemit gjyqësor. Me këtë dua të falënderoj në mënyrë të veçantë ish-kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe gjyqtarët e Gjykatës Supreme”, tha Rexhepi.

Ministrja në detyrë e drejtësisë, Donika Gërvalla – Shwarz tha se kjo gjykatë do të trajtojë konfliktet administrative dhe kontestet e punës në sektorin publik.

“Sot u përsërit disa herë që nuk po funksionalizojmë vetëm një gjykatë të re, por po bëjmë në funksion një mekanizëm të ri të shtetit ligjor në Republikën e Kosovës. Gjykata Administrative është gjykata e parë e specializuar në vendin tonë, e cila do ta trajtojë konfliktin administrativ dhe kontestet e punës në sektorin publik. Kjo do të thotë se qytetari, zyrtari publik dhe institucioni do ta kenë një adresë të qartë, më profesionale dhe më të specializuar për çështjet që lidhen me administratën publike.

Kjo gjykatë është e rëndësishme sepse administrata publike prek jetën e qytetarit çdo ditë përmes vendimeve, procedurave, lejeve, të drejtave, detyrimeve dhe përgjegjësive. Prandaj, çdo vendim administrativ duhet të jetë i ligjshëm, i arsyetuar dhe i kontrolluar. Nga sot, ky kontroll bëhet më i specializuar, më i qartë dhe më i afërt me natyrën e këtyre çështjeve.

Por duhet ta themi hapur: kjo gjykatë nuk po e nis punën nga zero. Ajo po e nis punën me një barrë të madhe, me mbi 10 mijë lëndë të bartura, gjë që paraqet një sfidë shumë serioze. Por është edhe mundësi për të dëshmuar se një gjykatë e specializuar mund të sjellë më shumë rend, më shumë shpejtësi dhe më shumë cilësi në drejtësinë administrative.

Dua ta përgëzoj Këshillin Gjyqësor të Kosovës për hapat e ndërmarrë në rekrutimin dhe transferimin e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës. Por nga sot, fokusi kalon tek rezultatet.

Të nderuar gjyqtarë, vendimet tuaja nuk do të zgjidhin vetëm konteste individuale; ato do të krijojnë standarde për administratën publike. Një vendim i mirë i kësaj gjykate nuk mbetet vetëm në dosjen e një pale, por ai duhet të shërbejë si orientim për zyrtarët publikë dhe si garanci për qytetarët.

Ne e dimë se një pjesë e konflikteve administrative vijnë edhe nga procedurat e paqarta apo nga gabimet që mund të shmangen. Po ka edhe lëndë që e ngarkojnë sistemin pa bazë të mjaftueshme. Prandaj, praktika e qartë, e qëndrueshme dhe konsistente e kësaj gjykate do të jetë vendimtare. Ajo do të krijojë siguri juridike dhe orientim se ku qëndron kufiri mes një kërkese të bazuar dhe një kontesti të panevojshëm.

Sot e kemi ligjin, e kemi gjykatën, i kemi gjyqtarët dhe kemi pritjen e qytetarëve. Ajo që duhet të ndërtohet nga sot është besimi në këtë gjykatë. Besimi nuk krijohet me ceremoni; besimi krijohet me vendime të drejta, me procedura të shpejta, me praktikë të unifikuar, me profesionalizëm dhe integritet.

Ministria e Drejtësisë do të jetë gjithmonë pranë jush dhe do ta mbështesë gjyqësorin në këtë proces. Por mbështetja jonë shkon bashkë me një pritje të qartë: që kjo gjykatë të prodhojë rezultate konkrete.

Uroj që kur të takohemi pas një viti, të mos flasim më vetëm për numrin e lëndëve, por për uljen e tyre. Të mos flasim vetëm për sfidat, por për standardet e reja që kjo gjykatë ka vendosur. Dhe të mos flasim vetëm për funksionalizimin e saj, por për suksesin e saj”, tha Gërvalla Shwarz.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër