Berisha: Raporti i Parlamentit Europian rekomandime të rëndësishme, angazhohemi për zbatim si opozitë

Nga D. V.
401 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 5 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përshëndeti sot raportin e miratuar në Komisionin e Jashtëm të Parlamenti Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një dokument “jashtëzakonisht të çmuar dhe objektiv”.

Gjatë një konference për shtyp nga selia blu, Berisha tha se raporti përmban një analizë të plotë të problematikave me të cilat përballet vendi dhe ofron rekomandime të rëndësishme si për qeverinë, ashtu edhe për opozitën. Ai u shpreh se Partia Demokratike angazhohet për të përmbushur të gjitha rekomandimet e dala nga ky dokument.

“Ndaj dhe unë jam sot këtu në emër të PD për t’u angazhuar për të plotësuar të gjitha rekomandimet e këtij komisioni, i cili është komisioni që përfaqëson BE-në në të gjitha marrëdhëniet me vendet kandidate, me vendet jokandidate, me Europën dhe botën”, u shpreh Berisha.

“Ky raport shkon në 29 faqe dhe unë sapo e mora raportin. Ajo çka si opozitë na intereson më shumë se çdo gjë tjetër, vlerësoj se ka pasur trajtimin më serioz dhe më të gjerë. Mban shënim ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e pranimit në fund të vitit 2027 dhe mirëpret progresin e bërë në vitet e fundit, thekson nevojën për të garantuar zbatimin e legjislacionit. Pra, nuk do letra të vdekura, ligje si letra të vdekura, do ligje të zbatuara”, theksoi Berisha.

Në lidhje me procesin zgjedhor, raporti, sipas Berishës, konstaton se kuadri ligjor është përgjithësisht i përshtatshëm për zgjedhje konkurruese, por nënvizon shqetësime serioze për mungesë të barazisë në garë, keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe ndërthurje të institucioneve me strukturat partiake.

“Tani, pika 3, shënon ose konstaton se raporti i Komisionit dhe OSBE/ODIHR vlerësojnë se kuadri ligjor elektoral i Shqipërisë është gjerësisht i përshtatshëm për të zhvilluar zgjedhje kompetitive. Ndonëse, rithekson shqetësimet e lidhura me fushën jo të barabartë, keqpërdorimin e burimeve administrative, shuarjen e linjës midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake. Kur shuhen linjat midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake, nuk ka më zgjedhje”, tha Berisha.

Ai theksoi se këto elemente tregojnë se zgjedhjet në Shqipëri janë zhvilluar në kushtet e “partisë-shtet”, duke i cilësuar ato si “farsë elektorale”. Sipas tij, raporti përfshin gjithashtu shqetësime për akuza për blerje vote dhe presione ndaj votuesve.

“Dhe kanë qëndruar në tezën se zgjedhjet u zhvilluan në kushtet e partisë-shtet. Zgjedhjet në kushtet e partisë-shtet janë farsë dhe vetëm farsë. Imagjinoni, në variantin klasik, zgjedhjet në kushtet e partisë-shtet janë ato që zhvillohen në diktaturat totalitare, pa pluralizëm, por zgjedhjet në kushtet e partisë-shtet janë ato që zhvillohen në autokracitë elektorale apo diktaturat autoritare, në të cilat shteti përdor çdo mjet për të rrëmbyer zgjedhjet, pra rikthen modelin e partisë-shtet. U karakterizuan nga akuza për blerje vote”, tha Berisha.

Në përfundim, Berisha bëri thirrje për vijimin e reformës zgjedhore në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konstruktive, duke ritheksuar angazhimin e opozitës për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër