Editorial / Kujdestari (roje) të detyrueshme për mësimdhënësit – siguri apo ulje e dinjitetit?

Nga B.M
1,684 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 maj, Zhurnal.mk – Vendimi i ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, që kujdestaritë e mësimdhënësve në korridore dhe oborre të bëhen të detyrueshme, hap debat mbi rolin e mësimdhënësit në sistemin arsimor. 

Në thelb, masa synon rritjen e sigurisë në shkolla, por ajo prek një dimension më të thellë dinjitetin dhe autoritetin e figurës së mësimdhënësit. A është ky një hap drejt forcimit të rolit të tyre apo një rrezik për ta reduktuar në roje korridori? shkruan Zhurnal.mk

Mësimdhënësi si figurë e dyfishtë

Historikisht, mësimdhënësit kanë qenë jo vetëm bartës të dijes por edhe autoritete morale e shoqërore. Kujdestaritë në korridore dikur ishin pjesë e natyrshme e disiplinës, ku prania e mësimdhënësit shërbente si kujtesë e vazhdueshme për rregullat e sjelljes. 

Megjithatë, sot konteksti është ndryshe, shkollat janë bërë hapësira më komplekse, ku siguria shpesh kërkon profesionalizëm teknik. Rikthimi i mësimdhënësve në rolin e “sigurimit” ngre dilema mbi kufijtë e përgjegjësisë së tyre.

Autoriteti dhe dinjiteti i mësimdhënësit

Ministrja Janevska argumenton se mësimdhënësit, duke qenë pjesë e procesit arsimor, kanë ndikim më të madh në sjelljen e nxënësve sesa rojet e sigurimit. Sipas ministrisë, prania e tyre në korridore mund të shërbejë si vazhdim i edukimit, duke i bërë nxënësit më të vetëdijshëm për normat e sjelljes dhe duke e lidhur disiplinën me procesin mësimor.

“Përgatitëm disa manuale dhe udhëzime që janë shpërndarë nëpër shkolla dhe komuna. Dje tashmë paralajmërova se do të jenë të detyrueshme kujdestaritë e mësimdhënësve në shkolla si në korridore, ashtu edhe në oborret e shkollave. Është fakt që kjo ekziston në disa shkolla, por në një numër të madh shkollash ende nuk ekziston”, tha ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit për zgjerimin e shkollës fillore “Goce Dellçev” në Aerodrom.

Por, nga ana tjetër detyrimi i mësimdhënësve të patrullojnë korridoret e oborret mund të perceptohet si ulje e statusit profesional. 

Në vend që të shihen si autoritete akademike, ata mund të reduktohen në rolin e “rojeve”, duke rrezikuar dinjitetin e figurës së tyre. Ky perceptim mund të dëmtojë respektin e nxënësve dhe prindërve ndaj mësimdhënësve, duke e dobësuar autoritetin që është i domosdoshëm për procesin edukativ.

Dimensioni social dhe politik

Ky vendim reflekton një dilemë më të gjerë se a duhet të investohet në sigurim profesional apo të ngarkohet mësimdhënësi me përgjegjësi shtesë? Nga aspekti ekonomik llogaritet përfitim pasi kursehen miliona denarë nga kontratat e sigurimit privat.

Politikisht, kjo mund të shihet si përpjekje për të rikthyer “autoritetin klasik” të mësimdhënësit, por rrezikon të interpretohet si mungesë investimi në siguri profesionale dhe si zhvendosje e barrës tek mësimdhënësit. E kjo mbase nga aspekti i zhvillimit teknologjik është masë që shkakton regres social, pasi brenda klasave punë me smart tabela e pastaj në oborr të shkollës roje dite është paksa komplekse. 

Kujtojmë që, mësimdhënësit janë kyç për edukimin dhe sigurinë, por roli i tyre nuk duhet të ngatërrohet me funksionin e sigurimit fizik. Autoriteti i mësimdhënësit forcohet përmes respektit, profesionalizmit dhe mbështetjes institucionale jo përmes detyrimeve që e zhvendosin fokusin nga mësimdhënia te patrullimi i korridoreve. Nëse politika e re nuk shoqërohet me masa për të ruajtur dinjitetin e figurës së mësimdhënësit, rreziku i denigrimit është real. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër