Tetovë, plani urbanistik për Kodrën e Diellit pret pëlqimin e MT

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 3 tetor Zhurnal.mk – Plani i Detajuar Urbanistik për Kodrën e Diellit ende nuk është gati, pasi Ministria e Transportit nuk ka dhënë pëlqimin për miratimin e tij. Nga Komuna e Tetovës thonë se presin përgjigje pozitive nga ministria, në mënyrë që plani të mund të votohet në Këshillin Komunal.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, thotë se procesi është zvarritur për shkak të problemeve me disa institucione. Sipas tij, pas marrjes së pëlqimit nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, plani është kompletuar dhe është dërguar në Ministrinë e Transportit.

“Kemi pasur problem serioz me institucionet, konkretisht me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Pas shumë peripecive arritëm të marrim pëlqim pozitiv nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Plani është kompletuar, është dërguar në ministri, jemi në koordinim me ministrinë dhe presim që deri të premten të marrim edhe pëlqimin e ministrisë”. – u shpreh Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ndërkohë, një tjetër problem që e shoqëron Kodrën e Diellit çdo sezon dimëror është mungesa e parkingjeve dhe premtimet e shumta ndër vite nga institucionet. Kasami thotë se me ndërtimin e rrugës së re do të krijohen edhe vende të reja për parking.

“Në bazë të Planit Urbanistik janë paraparë edhe vende për parkingje. Ajo që ka qenë praktike dhe do të vazhdojë të jetë për Kodrën e Diellit ka të bëjë me parkingun në rrugë. Problemi deri tani ka qenë se ka qenë një rrugë e vetme e qasjes deri në Kodrën e Diellit dhe parkoheshin në njërën anë të rrugës, duke u bllokuar pastaj komplet rruga. Tash, me ndërtimin e rrugës së re, e gjithë ajo pjesë do të jetë si një rrugë njëkahëshe dhe e gjithë njëra anë e rrugës do të jetë parking. Do të fitojmë parkingje të reja. Pra, me rrugën e re nuk e zgjidhim vetëm çështjen e qasjes, por edhe një problem me parkingjet”. – deklaroi Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ndërkaq, në seancën e fundit, Këshilli Komunal i Tetovës e largoi nga rendi i ditës miratimin e Planit të Detajuar Urbanistik për Kodrën e Diellit, pasi ai nuk kishte marrë pëlqimin e Ministrisë së Transportit.

Nga Ministria e Transportit, edhe pse tentuam të marrim përgjigje se përse ende nuk është dhënë pëlqimi për Planin e Detajuar Urbanistik për Kodrën e Diellit dhe cilat janë arsyet që po pengojnë miratimin e tij, nuk arritëm të marrim përgjigjje.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër