Ushtria iraniane hedh poshtë akuzat për sulme të reja ndaj EBA-s

Nga D. V.
683 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Teheran, 6 maj, Zhurnal.mk – Ushtria iraniane hodhi poshtë sot akuzat e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) se Teherani kishte ndërmarrë sulme të reja kundër shtetit të Gjirit.

“Asnjë raketë apo dron nuk është lëshuar drejt objektivave në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë ditëve të fundit”, tha në një deklaratë, zëdhënësi i shtabit operacional të forcave të armatosura iraniane.

Në të njëjtën kohë, zëdhënësi ushtarak kërcënoi Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e akuzuar vendin se është kthyer në një “bazë për amerikanët dhe sionistët” dhe një “armik i botës islame”.

“Nëse do të ndërmerrej një sulm kundër Iranit nga territori i Emirateve të Bashkuara Arabe, autorët do të pendoheshin për këtë”, tha ai.

Ky reagim vjen pasi Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan dje sulme të reja iraniane, për të dytën ditë radhazi.

Deklarata e zëdhënësit ushtarak, bie ndesh me komentet e forcave të armatosura iraniane të hënën, të cilat i përshkruan sulmet si një përgjigje ndaj nismës amerikane për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Sulmet e së hënës – të parat që nga hyrja në fuqi e armëpushimit midis SHBA-së dhe Iranit rreth katër javë më parë – shkaktuan një zjarr në një depo nafte në portin e Fuxhairah, në Gjirin e Omanit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi menjëherë duke kërcënuar se SHBA-ja do ta shkatërronte Iranin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër