Wadephul i bën thirrje Iranit të rikthehet në tryezën e negociatave, pas sulmeve ndaj EBA-s

Nga D. V.
578 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Berlin, 6 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul i ka bërë thirrje Iranit të rikthehet në tryezën e negociatave, pas sulmeve me dronë dhe raketa ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

“Ne i bëjmë thirrje Iranit të mos e teprojë me kartat e tij”, tha dje në mbrëmje Wadephul, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij izraelit Gideon Sa’ar, në Berlin.

Ai theksoi se është gjithnjë e më urgjente që Irani të pranojë ofertën për negociata, duke shtuar se Gjermania dënon sulmet e fundit.

Sipas tij, duhet shmangur rikthimi në konflikt dhe lufta duhet të përfundojë, por në një mënyrë që të mos krijojë më rrezik nga Irani – as për Izraelin, as për vendet e rajonit dhe as për Evropën.

Wadephul theksoi gjithashtu se Irani nuk duhet të lejohet të pajiset me armë bërthamore dhe duhet të heqë dorë nga programi i raketave balistike, si dhe nga politikat e tij destabilizuese në rajon.

Sipas tij, Gjermania dhe Izraeli ndajnë të njëjtat objektiva dhe interesa sigurie në këtë drejtim.

Nga ana e tij, ministri izraelit Gideon Sa’ar i cilësoi sulmet e fundit ndaj EBA-së si dëshmi – se regjimi në Teheran ka “karakterin e një të çmenduri”, duke theksuar se duhet parandaluar me çdo kusht pajisja e Iranit me armë bërthamore.

Sulmi ndaj EBA-së shkaktoi një zjarr të madh në një depo nafte në portin e Fujairahut.

Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se kishte lëshuar raketa drejt anijeve të Marinës amerikane, si paralajmërim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër