​Gucati: Në Hagë u dorëzuan 200 mijë nënshkrime për drejtësi ndaj çlirimtarëve

Nga D. V.
664 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 6 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, bën të ditur se sot në Gjykatën Speciale në Hagë kanë dorëzuar 200 mijë nënshkrime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas Gucatit, këto nënshkrime përfaqësojnë “200 mijë zëra që kumbojnë me një kërkesë të vetme – drejtësi për çlirimtarët”.

“Ky nuk është thjesht një peticion, është vullneti i pastër i një kombi që nuk e harron sakrificën”, shkruan ai.

Gucati ka shprehur besimin e tij në, siç e quajti, “luftën e pastër të UÇK-së”, duke uruar që gjatë kësaj vere ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë.

“Me besimin e palëkundur te lufta e pastër e UÇK-së, urojmë dhe shpresojmë që këtë verë dielli të lindë ndryshe – me krerët tanë në shtëpi, aty ku e kanë vendin, në Kosovën e lirë”, ka thënë Gucati.

Ndryshe, Gjykata Speciale e ka konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep ka thënë se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit por data që përcakton afatin e zgjatur.

Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër