Pekin, 6 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi zhvilloi sot bisedime me homologun e tij kinez Wang Yi, në Pekin – në një kohë tensionesh të rritura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konfirmuan mediet shtetërore kineze dhe iraniane.
Araghchi falënderoi Kinën për qëndrimin e saj kundër luftës SHBA-Izrael ndaj Iranit dhe e cilësoi Pekinin si “mik të ngushtë” të vendit të tij, raportoi agjencia iraniane e lajmeve ISNA.
Ai shtoi se bashkëpunimi mes dy vendeve po forcohej në kushtet aktuale.
“Luftimet duhet të ndalen, armiqësitë nuk duhet të rifillojnë dhe negociatat janë veçanërisht të rëndësishme”, tha Wang Yi, sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Pekini shprehu mbështetje për Iranin në ruajtjen e sigurisë dhe sovranitetit kombëtar, duke vlerësuar gatishmërinë e Teheranit për një zgjidhje politike.
Wang shtoi gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar ka interes të përbashkët në rifillimin e lundrimit normal dhe të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, duke bërë thirrje që palët të përgjigjen sa më shpejt ndaj këtij apeli.
Bisedimet mes Teheranit dhe Pekinit u zhvilluan më shumë se një javë para vizitës së planifikuar të presidentit amerikan, Donald Trump në Kinë.
Uashingtoni ka njoftuar vizitën, ndërsa Pekini ende nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian deklaroi se të dyja palët janë në kontakt për këtë vizitë, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kina dhe Irani janë vende partnere të ngushta ekonomike, ndërsa Pekini është blerësi më i madh i naftës iraniane – i cili ka kritikuar vazhdimisht qasjen e SHBA-së ndaj Teheranit.
