Shkup, 10 maj, Zhurnal.mk – Më 9 maj, në Ditën e Evropës, skena politike shqiptare në Maqedonia e Veriut shënoi një zhvillim të rëndësishëm politik, pasi VLEN u shndërrua zyrtarisht nga një bashkëpunim mes pesë subjekteve politike në një trup të vetëm politik.
Në Kongresin e mbajtur me pjesëmarrjen e mbi 850 delegatëve, u theksua se ky bashkim nuk paraqet vetëm një vendim organizativ, por një akt përgjegjësie ndaj shqiptarëve dhe një dëshmi se interesi i përbashkët mund të vendoset mbi interesat e ngushta partiake.
Sipas mesazheve të dala nga Kongresi, ideja që dikur ishte vënë në dyshim dhe rrugëtimi që ishte sfiduar nga kundërshtarët politikë, tashmë është shndërruar në realitet politik.
Në fjalimet dhe dokumentet e prezantuara në Kongres, VLEN u paraqit me një vizion të ri politik, të fokusuar në politikën “në shërbim të njeriut”, duke theksuar se qasja e saj nuk ndërtohet mbi frikë dhe ndarje, por mbi dinjitet, barazi, punë dhe përgjegjësi.
Platforma politike e VLEN-it u prezantua si një drejtim i qartë për:
– barazi reale të shqiptarëve në çdo institucion;
– shtet ligjor dhe luftë të pakompromis kundër korrupsionit;
– ekonomi që mbështet sipërmarrësit, bizneset familjare dhe të rinjtë;
– arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe mundësi të barabarta për studentët;
– administratë efikase dhe digjitale në shërbim të qytetarëve;
– ruajtje dhe zhvillim të kulturës dhe identitetit shqiptar;
– si dhe për një shtet funksional ku Marrëveshja e Ohrit zbatohet në thelb dhe jo vetëm në letër.
Në Kongres u theksua se shqiptari në Maqedoninë e Veriut “nuk kërkon privilegje, por barazi; nuk kërkon retorikë, por mundësi; nuk kërkon mëshirë, por drejtësi dhe integritet”.
Po ashtu, VLEN e përcaktoi qartë filozofinë e saj politike si forcë e qendrës së djathtë, moderne në qasje dhe e orientuar drejt mbrojtjes së interesit qytetar.
Në adresimet gjatë Kongresit u tha se VLEN nuk synon të matet me retorikë politike, por me rezultate konkrete në ekonomi, arsim, infrastrukturë dhe funksionalitet institucional.
Mbajtja e Kongresit pikërisht në Ditën e Evropës u cilësua si simbolikë e orientimit të qartë pro-evropian të këtij subjekti politik, duke riafirmuar angazhimin për një Maqedoni të Veriut evropiane, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.
Mesazhet nga Kongresi theksuan se me këtë bashkim nuk po mbyllet një kapitull politik, por po hapet një i ri:
– një kapitull ku politika shqiptare nuk është më e fragmentuar, por e organizuar;
– një kapitull ku energjia politike synon të shndërrohet në fuqi institucionale;
– si dhe një kapitull ku të rinjtë, profesionistët dhe qytetarët do të bëhen pjesë e drejtpërdrejtë e vendimmarrjes.
Në përmbyllje të Kongresit, mesazhi kryesor i përcjellë ishte se VLEN nuk konsiderohet më vetëm një koalicion politik.
“VLEN është një”, ishte porosia që doli nga Kongresi i mbajtur më 9 maj.
