Përplasje mes BDI-së dhe VLEN-it për himnin në Kongresin unifikues të VLEN-it

Nga B.M
2,007 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 maj, Zhurnal.mk – Një debat politik është hapur mes BDI dhe VLEN pas Kongresit të parë unifikues të VLEN-it, për shkak të mosintonimit të himnit kombëtar gjatë aktivitetit, transmeton zhurnal.mk.

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, reagoi përmes një postimi në Facebook, duke kritikuar VLEN-in dhe duke e lidhur këtë çështje me, siç tha ai, heshtjen ndaj proceseve të tjera politike që prekin shqiptarët në Maqedonia e Veriut.

“E ndaluan gjuhën. E ndërpren përfaqësimin e drejtë. E nënçmuan vullnetin e popullit. E bllokuan Evropën. Tani heshtën edhe himnin”, ka shkruar Osmani.

Pas reagimit të Osmanit, kundërpërgjigje ka ardhur nga deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, e cila akuzoi BDI-në për “standarde të dyfishta” dhe “amnezi kolektive”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Imeri Stafai publikoi edhe një referencë nga një kongres i mëhershëm i BDI-së, duke pretenduar se edhe aty nuk ishte intonuar himni.

“Histeria që po shfaq BDI është për t’u brengosur. Amnezi kolektive apo standarde të dyfishta…? Ja kështu filloi Kongresi i IV i BDI-së, pa asnjë nishan të himnit. Ama atyre nuk u llogaritet?!!”, ka shkruar deputetja e VLEN-it.

Në fund të reagimit të saj, ajo theksoi se dita ishte festive për VLEN-in, pas bashkimit të koalicionit në një subjekt të vetëm politik.

“Mos na e prishni ditën — ne kemi festë. VLEN u bë NJË”, ka shtuar Imeri Stafai.

Kongresi i mbajtur më 9 maj shënoi transformimin e VLEN-it nga koalicion në një strukturë të vetme politike, ndërsa zhvillimet e fundit kanë nxitur përplasje të reja politike mes pushtetit dhe opozitës shqiptare në vend.//Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër