Shkup, 10 maj, Zhurnal.mk – Rikonstruimi i paralajmëruar i kabinetit qeveritar do të jetë një proces i analizës së thellë të punës së bërë në periudhën e kaluar, dhe jo vetëm një rotacion kadrovik, kështu u shpreh Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski, në një intervistë për “Noqno Studio” në 4TV.mk, duke shtuar se fokusi i Qeverisë është i orientuar drejt efikasitetit dhe realizimit të projekteve të premtuara për qytetarët, transmeton Zhurnal.mk.
Nikolloski konfirmoi se kryeministri Hristijan Mickoski tashmë po shqyrton indikatorët e suksesit për çdo resor, ku fjala kyçe do të jenë rezultatet e arritura.
“Kryeministri, si mandatar dhe bartës i vendimit, po bën analizat dhe vlerësimet e tij. Ky është një proces normal në një qeveri aktive që dëshiron ta ruajë dinamikën. Do të bisedohet me partnerët e koalicionit, por baza për çdo ndryshim do të jetë – kush ka punuar mirë dhe kush nuk i ka përmbushur pritjet në dy vitet e fundit”, deklaroi Nikolloski.
Në kontekstin e partnerëve të mundshëm të rinj në Qeveri, ministri theksoi se partneriteti strategjik ekzistues me VLEN dhe ZNAM është stabil dhe se nuk ka nevojë për përzierje në punët e brendshme të partive të tjera.
“Pjesa më e madhe e opozitës dëshiron t’i bashkohet qeverisë sepse e shohin se ajo po punon mirë. Ky është fakt politik. Por, ne kemi vizionin tonë dhe partneritetet tashmë të vendosura. Nuk duam që askush të përzihet në VMRO-DPMNE, prandaj as ne nuk përzihemi tek të tjerët. Qëllimi ynë është stabiliteti që do të na mundësojë t’i përfundojmë autostradat, hekurudhat dhe të gjitha investimet kapitale pa obstruksione politike”, nënvizoi zëvendëskryeministri.
Nikolloski përfundoi se stabiliteti politik aktualisht është në nivelin më të lartë, gjë që mundëson që të gjitha resurset shtetërore të vihen në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve.
