Ministrja e Arsimit – Janevska paralajmëron licencimin e psikologëve shkollorë

Nga B.M
872 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 maj, Zhurnal.mk – Pas disa rasteve të raportuara të sjelljeve të papërshtatshme të mësimdhënësve dhe profesorëve ndaj nxënësve, ministrja e Arsimit Vesna Janevska paralajmëroi masa të reja për forcimin e kontrollit në sistemin arsimor.

Ajo njoftoi se planifikohet të forcohet provimi i praktikës për mësimdhënësit e rinj, si dhe të vendoset licencimi i psikologëve shkollorë, të cilët do të kenë për detyrë të identifikojnë sjellje problematike dhe të ndërmarrin masa në kohë.

Janevska u bëri thirrje edhe kolegëve të mësimdhënësve që të reagojnë dhe të raportojnë nëse vërejnë sjellje të palejueshme ndaj nxënësve.

“Do t’u drejtohem edhe një herë mësimdhënësve, kolegë të atyre që kryejnë veprime të paligjshme apo sjellje të papranueshme. Ne do ta forcojmë provimin e praktikës, sepse aty nevojiten ndryshime serioze, ndërsa do të iniciojmë edhe licencimin e psikologëve, roli kryesor i të cilëve do të jetë të detektojnë çdo problem në shkolla dhe të ndërmarrin masa”, deklaroi Janevska.

Ajo theksoi se për rastet tashmë të njohura janë duke vepruar Inspektorati Shtetëror i Arsimit, policia dhe prokuroria publike.

Sipas saj, licencimi i psikologëve do të përfshijë të gjithë punën e tyre profesionale, ndërsa Dhoma e Psikologëve do të ftohet të organizojë trajnime shtesë për psikologët shkollorë.

Janevska foli edhe për problemet me bullizmin dhe vandalizmin mes nxënësve, duke vlerësuar se agresiviteti nuk krijohet vetëm në shkollë dhe se përgjegjësia duhet të ndahet mes familjes, institucioneve arsimore dhe shërbimeve sociale.

“Problemi është kompleks dhe duhet të trajtohet nga të gjitha anët”, tha ministrja.

Ndërkohë, kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi mbështetje për këto masa dhe paralajmëroi organizimin e një mature të përbashkët për maturantët e këtij viti, me qëllim rritjen e tolerancës mes të rinjve.

Ai njoftoi gjithashtu se brenda 15 ditësh në shkollat e mesme do të fillojë të funksionojë mbështetja psikologjike falas, në bashkëpunim mes një operatori të jashtëm dhe Qytetit të Shkupit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër