Tiranë, 12 maj Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se parlamenti nuk mund të reduktohet në një “fabrikë ligjesh”, por duhet të garantojë cilësinë dhe efektet e tyre në jetën e qytetarëve.
Gjatë raportimit të kryenegociatores Majlinda Dhuka në Komisionin për Politikën e Jashtme dhe Çështjet Europiane, Tabaku u shpreh se integrimi është kthyer në “kryefjalë propagande dhe premtim elektoral”, ndërsa mungon debati real dhe reformat substanciale.
“Është hera e parë që një raport ka më shumë faqe me listë ligjesh të miratuara sesa një raport serioz për integrimin. Mbi 45 faqe janë vetëm lista ligjesh dhe jo analiza reale për reformën dhe impaktin e tyre,” u shpreh Tabaku.
Duke u ndalur te lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i reformës në drejtësi, Tabaku deklaroi se qeveria po paraqet një realitet të deformuar për progresin në këtë fushë, duke kujtuar se vetëm 5 rekomandime të GRECO janë përmbushur plotësisht.
“Raporti jep numra hetimesh dhe akuzash, por nuk ka asnjë akuzë në shkallë finale,” tha ajo, ndërsa solli edhe statistika alarmante për sistemin gjyqësor.
Sipas Tabakut “sot në Shqipëri një çështje administrative në shkallë të dytë zgjat 5326 ditë, ose 14.5 vite për të marrë drejtësi”.
Po ashtu Tabaku i konsideroi prokurimet publike, si burim kryesor të korrupsionit në vend.
Sipas Tabakut, Shqipëria vazhdon të ketë problem serioz me tenderët pa garë dhe përqendrimin e tyre tek pak kompani.
“Në Shqipëri ka të paktën 14% të procedurave me një ofertues të vetëm, 15% të procedurave pa publikim dhe mbi 60% e vlerës së tenderëve shkon tek pak kompani,” deklaroi ajo, duke krahasuar situatën me Serbinë ku, sipas saj, 97.5% e procedurave zhvillohen me garë të hapur.
Ajo përmendi gjithashtu raportet e Komisionit Europian dhe SIGMA-s, të cilat sipas saj evidentojnë mungesën e progresit në kapitullin e prokurimeve publike dhe problematikat që lidhen me AKSHI-n dhe tenderat e teknologjisë së informacionit.
Tabaku ngriti shqetësime edhe për ligjin e porteve strategjike dhe ligjin e investimeve strategjike, duke i konsideruar në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
“Nuk mund të lejojmë që në emër të integrimit të bëhen përjashtime ligjore dhe pasuritë publike t’i jepen pakicës,” tha ajo.
Në fund të fjalës së saj, deputetja demokrate kritikoi mungesën e transparencës dhe përjashtimin e opozitës dhe shoqërisë civile nga procesi i integrimit.
“Ky proces kërkon dy palë dhe nuk bëhet dot me një palë. Ju flisni për diskutim, por nuk diskutoni as me opozitën dhe as me shoqërinë civile,” deklaroi Tabaku.
Ajo shtoi se për tre vite me radhë ka kërkuar hapjen e procesit negociues dhe ndarjen e dokumenteve me Kuvendin dhe aktorët e interesit, por sipas saj qeveria “i ka mbajtur të mbyllura në sirtar pozicionet negociuese dhe detyrimet e ndërmjetme”.
